Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të premten, ka shqiptuar dënim me një muaj burgim dhe 200 euro gjobë me kusht, ndaj të akuzuarit për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, Agim Grajqevci.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Grajqevci nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Avdirrahman Gashi, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”
Përveç kësaj, Grajqevci ka shtuar se nuk do ta përsërisë më veprën penale dhe i ka kërkuar gjykatës që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Rrahim Podvorica, i cili ka thënë se është bërë në mënyrë të vullnetshme nga ana e të akuzuarit dhe njëkohësisht ka kërkuar nga gjykata që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Gjyqtari Gashi, të akuzuarin e ka obliguar që t’i paguaj në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave, shumën prej 30 euro si dhe të dëmtuarës KEDS – distrikti në Prishtinë, t’ia paguaj dëmin e shkaktuar në vlerë prej 195.31 euro
Ndryshe sipas aktakuzës së 9 janar 2018, i akuzuari Grajqevci po akuzohet se e ka kryer veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale “ nga neni 320 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Grajqevci, me 1 korrik 2017, në fshatin Ribar, Komuna e Lipjanit, me qëllim që vetit t’i sjell përfitime pasurore të kundërligjshme, ka vjedhur energjinë elektrike duke marrë dhe shfrytëzuar pa autorizim nga KEDS- i, si furnizues i autorizuar.
Po ashtu, sipas aktakuzës, punëtorët e autorizuar të KEDS-it, me rastin e kontrollimit të njehsorit elektrik te konsumatori në fjalë, kanë hasur se ka pasur lidhje drektë për mes një kabllo, pra konsumatori është i kyçur direkt në rrjet të ri jashtë pikës matëse pa njehsor.
Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Grajqevci, me këto veprime, në këtë mënyrë ka bërë keqpërdorim të energjisë elektrike, e cila nuk është regjistruar përmes njehsorit, ku me këtë të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 195.31 euro.
COMMENTS