Përfaqësues të organizatave jo-qeveritare të Kosovës janë mbledhur para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për të kërkuar nga deputetët që mos ta votojnë Projektligjin për OJQ-të.
Organizatat kanë shpërndarë një infografikë për deputetët e Kuvendit, ku tregohet që pasi shuhet një organizatë jo-qeveritare, sipas Projektligjit në fjalë, pasuria e mbetur i falet bizneseve private.
Taluant Hoxha nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), ka thënë se Projektligji në fjalë lejon vjedhjen e kapitalit të OJQ-ve në Kosovë.
“Këtu jemi në emër të 300 organizatave jo qeveritare për të kërkuar nga deputetët e Kuvendit që të parandalojnë një vjedhje që po i bëhet kapitalit dhe pasurisë së OJQ-ve në Kosovë. Me ligjin e miratuar është lejuar shkelja elementit kryesor të shoqërisë civile, e që është pasuria e OJQ-ve”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, Kosova është i vetmi vend në Europë që e lejon një gjë të tillë.
OJQ-të kanë kërkuar që deputetët t’i votojnë amandamentet që i rikthjenë dispozitat standarde të këtij ligji.
Projektligji për OJQ-të pritet të dalë në Kuvend për votim nga deputetët.
COMMENTS