Të gjitha qeveritë e deritashme të Kosovës janë ballafaquar me sfidën e përmbylljes së mandatit katërvjeçar kushtetues. Mandatet e qeverive paraprake të Kosovës, kryesisht kanë përfunduar me prishje koalicioni apo votim të mocionit të mosbesimit në Kuvend, çka me automatizëm ka dërguar vendin në zgjedhje.
Ndonëse ka më pak se një vit e gjysmë që kur është formuar, edhe në koalicionin aktual apo Qeverinë Haradinaj është hapur debati nëse duhet t’i jepet fund kësaj Qeverie, apo duhet të rikompozohet me një përbërje tjetër.
Njohësit e zhvillimeve politike identifikojnë dy faktorë që mund të çojnë drejt zhbërjes së koalicionit. Bëhet fjalë për pakënaqësitë sociale të manifestuara përmes grevave dhe mospajtimet rreth pezullimit të tarifës doganore të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, tarifa doganore po shihet si pengesë serioze për vazhdimin e dialogut, pikërisht tash kur po flitet për fazën finale të tij dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbajtjen në fuqi të kësaj tarife, Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar në kundërshtim me interesat e politikës amerikane.
Nisur nga ky qëndrim i SHBA-së, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës si subjekti më i madh në koalicionin qeverisës, ka kërkuar nga Haradinaj që të reflektojë dhe të marrë vendim për pezullimin e tarifës për 120 ditët e ardhshme në mënyrë që t’i jepet shans dialogut.
Por, kryeministri Haradinaj edhe sot është treguar i vendosur se tarifa nuk pezullohet, qoftë edhe për 120 ditë. Me këtë qëndrim, Haradinaj besohet se ka pranuar në njëfarë forme edhe prishjen e koalicionit për mbajtjen në fuqi të tarifës ndaj Serbisë.
Ai tha se Beogradi, por edhe ndërkombëtarët, siç u shpreh Haradinaj, në vazhdimësi po i kërkojnë Kosovës që të jap pjesë nga territori i saj në veri të vendit, në këmbim të njohjes nga Serbia. Por, në vend të territorit, Haradinaj tha se Kosova mund t’i ofrojë Serbisë tregun duke e hequr taksën nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Unë po i lus kolegët e mi, Thaçin, Veselin, Mustafën, Kurtin dhe Ahmetin se a bën ne që nëse na e jep Serbia njohjen, ne po ia kthejmë tregun, sepse ia kemi marrë tregun. Pra, shume thjeshtë, si në botën moderne, unë po ta jap tregun e Kosovës, t’i ma jep njohjen dhe nuk po besoj që jemi duke e tepruar ose nuk po besoj që jemi kah prishemi me ndonjë mik tonin, por po bëjmë diçka që e gjithë bota moderne e bën”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, një ditë më herët kishte deklaruar gjatë një interviste në TV Dukagjini se Kosova nuk guxon ta rrezikojë partneritetin me SHBA-në. Kjo sipas tij, e kishte shtyrë atë që të ofronte pezullimin e tarifës, ngase ashtu kishin insistuar Shtetet e Bashkuara.
“Atë ditë që prishet partneriteti me SHBA-në, prishet koalicioni dhe Kadri Veseli largohet nga kreu i Kuvendit”, ka thënë në këtë intervistë Veseli.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë sot dhe me një deklaratë përmes së cilës shpreh, siç thuhet, shqetësimin e saj për mungesën e theksuar të bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional për çështjet e interesit shtetëror të vendit.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se një gjë e tillë është duke e dëmtuar partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pozicionin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, theksohet në deklaratë.
“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që të hiqet dorë nga qasja dhe protagonizmi i njëanshëm politik, i cili po e shpie vendin në krizë politike, në kohën kur sfidat me të cilat përballet shteti ynë kërkojnë unitet kombëtar. Pikëpamjet personale janë legjitime, por qëndrimi zyrtar dhe vendimmarrja për vendin duhet të jenë shtetërore, gjithmonë dhe në çdo rast”, thekson PDK.
Në debatet rreth tarifës dhe prishjes së koalicionit qeverisës është përfshirë sot edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Nga pozicioni i një lideri opozitar, Kurti tregoi për opsionet, sipas tij, që mund të vijnë në shprehje ditët në vijim, e që ndërlidhen me tarifën dhe mbijetesën e qeverisë.
“Tash kemi tarifën 100 për qind për mallrat e Serbisë. Ne kemi qëndrim të kundërt si Lëvizje Vetëvendosje me presidentin dhe kryetarin e Kuvendit. Ata duan që të hiqet tarifa 100 për qind ndaj Serbisë dhe të mbetet Haradinaj kryeministër, kurse ne e kërkojmë të kundërtën; të largohet kjo qeveri dhe Haradinaj e të mbetet kjo tarifë. Skandalet e panumërta të keqqeverisjes e korrupsionit, nuk mbulohen me një tarifë”, tha Kurti.
Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kishte deklaruar se në këtë fazë të bisedimeve me Serbinë, Kosova, sipas tij, ka nevojë për një Qeveri më të fuqishme dhe për një ristrukturim të delegacionit të saj që prezanton vendin në negociatat me Serbinë në Bruksel.
Marrë parasysh zhvillimet në koalicionin qeverisës, në mes opsionit për rrëzimin e qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit, që do të çonte në zgjedhje të parakohshme, është edhe opsioni i një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila do të drejtonte vendin në procesin e ardhshëm të dialogut me Serbinë dhe përgatitjen e vendit për zgjedhjet e reja.
Sidoqoftë, në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila përbën shumicën në koalicionin aktual, besojnë se pezullimi i tarifës nga ana e kryeministrit Haradinaj do të mundësonte që të pushonin edhe debatet rreth rënies së Qeverisë Haradinaj.
COMMENTS