Avokatët tregojnë se si rezultat i kujt u ngrit aktakuza në rastin ‘Pronto’

Avokatët tregojnë se si rezultat i kujt u ngrit aktakuza në rastin ‘Pronto’

Naser Osmani shtyn përpara agjendën për t’u dukur mashkulli më ‘seksi’ i politikës kosovare

Adem Grabovci së bashku me njëmbëdhjetë të akuzuarit e tjerë të aferës së përgjimeve ‘Pronto’, sot përballë Gjykatës e kundërshtuan aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuarit nëpërmes avokateve të tyre i kundërshtuan në tërësi provat dhe aktakuzën e ngritur nga Prokuroria dhe kërkuan nga Gjykata që në mungesë të provave ta hedhë aktakuzën kundrejt tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Adem Grabovci, avokati Florent Latifaj kur u deklarua lidhur me aktakuzën, tha se përmes një parashtrese që ia ka dorëzuar Gjykatës i ka kundërshtuar provat e paraqitura nga Prokuroria si dhe ka kërkuar hedhje të aktakuzës, prandaj gjatë kësaj seancë gjyqësore deklaroi se qëndron prapa fjalëve të thëna në parashtresë.

“Në tërësi qëndroj pranë kundërshtimit të dorëzuar me shkrim dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave në aktakuzë”, tha avokati Florent Latifaj.

Pranë kundërshtimit të dorëzuar me shkrim nga avokati Florent Latifaj qëndroi edhe klienti i tij, i akuzuari Adem Grabovci.

Edhe e akuzuara Arbenita Pajazitaj si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilhami Gashi, avokati Gëzim Kollçaku deklaruan se po ashtu i kundërshtojnë provat dhe aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë dhe se lidhur me këto kundërshtime Gjykatës i kanë dorëzuar një parashtresë pranë së cilës deklaruan se mbetën në tërësi.

E avokati Besnik Berisha, i cili në këtë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Besim Beqaj, u bë kureshtar t’i dëgjonte përgjigjet e Prokurorisë kundrejt kundërshtimeve të mbrojtësve të të akuzuarve.

“Ju thatë se i keni dorëzuar Prokurorisë kërkesat tona për hedhje të aktakuzës ndërkaq nuk dëgjuam nëse Prokuroria ka parashtruar përgjigje në kundërshtimet tona”, tha avokati Berisha.

“Atëherë me mirësi ju lus që fillimisht Prokurorinë ta dëgjojmë lidhur me ato se çfarë i kemi parashtruar se nëse këta i pranojnë ato ne nuk kemi se çka me e elaboru hiç”, shtoi Berisha.

Por lidhur me deklarimin e avokatit pati vërejtje prokurorja e rastit, Drita Hajdari, pasi që sipas prokurores është Kodi i Procedurës Penale i cili i përcakton rregullat se si duhet të shkojë procedura prandaj sipas saj nuk është avokati Berisha ai i cili duhet t’i vërë rregulla.

“Më falni kam vërejtje lidhur me këtë kërkesën e avokatit. Në bazë të Kodit të Procedurës Penale të pandehurit dhe avokatet e tyre së pari i paraqesin kundërshtimet e pastaj Prokuroria përgjigjet në këto kundërshtimet. Ju lutem keni parasysh se ai nuk mundet me i caktu rregullat”, deklaroi prokurorja speciale Drita Hajdari.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Shurdhaj, avokati Emrush Kastrati, aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e cilësoi si presion mediatik pasi që tha se kjo aktakuzë nuk ka të bëjë fare me veprimet inkriminuese të të mbrojturit të tij.

“Përshtypja e mbrojtjes është se kjo aktakuzë është ngritur më shumë nën presionin e publikut mediatik. Bindja ime është kjo dhe nuk ka të bëjë asgjë më veprime inkriminuese të klientit tim”, tha avokati Emrush Kastrati.

Edhe mbrojtësi i të pandehurit, Ismet Neziraj, avokati, Gafurr Elshani aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e cilësoi si rezultat i presionit mediatik.

“Mbrojtja pretendon se aktakuza është e mbështetur në provat të papranueshme edhe kjo akuzë është ngritur si rezultat I presionit mediatik, ku edhe vetë prokurorja e pohon ku thotë se kjo aktakuzë është ngritur pas analizave që I janë bërë, pas reagimit të opinionit pasi janë dëgjuar disa incizime, ju vetë i keni shkru”, tha avokati Gafurr Elshani.

Po ashtu, edhe gjithë të akuzuarit e tjerë përmes mbrojtësve të tyre deklaruan se e kundërshtojnë aktakuzën dhe qëndrojnë pranë kundërshtimeve të paraqitura me shkrim pranë Gjykatës.

Lidhur me kundërshtimet e provave dhe kërkesës për hedhje të aktakuzës, prokurorja Hajdari e shfrytëzoi të drejtën ligjore për t’u përgjigjur me gojë.

“Kjo çështje penale trajton një fenomen të ndarjes së posteve mbi baza politike apo mbi baza personale. Këtu u dëgjua nga një avokat se aktakuza është ngritur nën presion të mediave çka nuk është e vërtetë, është e vërtetë se Prokuroria ka inicuar hetimin në bazë të asaj se çka ka dëgjuar në media dhe ky është një obligim i Prokurorisë dhe nuk është as hera e parë e as hera e fundit që Prokuroria të filloj një hetim në bazë të informimit në media”, deklaroi prokurorja.

“Po thuajse të gjithë avokatet janë thirrur në atë se këto përgjime është dashtë me u shkatërru, por nuk janë shkatërru, dhe askund nuk thuhet se këto prova nuk është dashtë me u përdorë pasi nuk janë shkatërru, Prokuroria nuk ka mund me i mbyllë sytë në prezencën e këtyre veprimeve inkriminuese”, deklaroi prokurorja.

E lidhur me deklarimin e prokurores mospëlqim pati nga mbrojtësit e të akuzuarve me ç’rast disa herë në sallë të Gjykatës u shkaktua tension për çka gjykatësi i rastit Shashivar Hoti u detyrua ta ngrejë zërin dhe të kërkojë nga palët që të mbajnë rend dhe qetësi në sallë.

Ndërsa lidhur me kundërshtimet e mbrojtësve dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës, Gjykata do të vendos jashtë shqyrtimit gjyqësor.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)