Vajza me sindromin Down, Eloida Alija filloi punën si asistente e stomatologut

Vajza me sindromin Down, Eloida Alija filloi punën si asistente e stomatologut

Ky është urimi i kuvendarit Tasholli për Ramazan

Eloida Alija është 18 vjeçare dhe sot është dita e tretë e punës. Edhe pse është e prekur nga sindromi Down, por kjo nuk e ka penguar atë në rrugëtimin e saj.

Eloida Alija, nga Ferizaj, ka filluar të punojë si asistente e njërit nga stomatologët e këtij qyteti.

Ajo ka thënë se kjo punë, ka qenë ëndërr e saj.

Burim Buzhala është stomatologu, i cili ja hapi dyert kësaj 18 vjeçareje, duke i realizuar dëshirën më të madhe që kishte.  Sot, Eloida, me duart e saja, është ndihmësja më e mirë që një doktor mund ta ketë.

Buzhala ka thënë se punësimi i Eloidës ka qenë ndjenja më e mirë që e ka pasur ndonjëherë.

“Së pari Eloidën e kam njohur si paciente. Pastaj duke menduar se sa janë të shtypura kategoritë e tilla që kanë nevojë për mbështetje, më lindi ideja dhe mora iniciativë për ta punësuar. Natyrisht për të dhënë mesazh jo vetëm te kolegët, por edhe te profesionet e tjera… Është shumë entuziaste. Edhe neve po na emocionon me dëshirën për punë. Po na pëlqen iniciativa që merr. Sapo ulet pacientja, vendos dorezat, na sjell edhe neve dorezat”, deklaroi Burim Buzhala.

Nëna e saj, Indira Alijaj ishte shoqëruesja më e mire përgjatë gjithë këtyre viteve, e cila e ka përcjellë në çdo hap.

Ajo ka thënë se tashmë është nëna më e lumtur në botë.

“Ky lajm për ne ka qenë shumë i mirë dhe shumë emocionues. Eloidën e kam dërguar gjithmonë në çdo aktivitet dhe nuk kam dashur që të jetë e mbylltë për shkak se njerëzit duhet ta shohin që edhe këta i përkasin kësaj bote. Le të shohin njerëzit që edhe këta dinë dhe ja dalin. Por, lajmi më i mirë ka qenë kur jam njoftuar nga doktori që do të punësoj si asistente në klinikën e tij. Ka qenë surprizë për Eloidën… Kisha pasur dëshirë që të jetë mesazh për të gjithë që kanë mundësi, çdo institucion të përkrahë këta persona me nevoja të veçanta”, shprehet Indira Alija.

Eloida Alija, me plot gaz, endej nëpër korridorin e klinikës, sepse tashmë ajo po jetonte ëndrrën e saj./ RTV Dukagjini

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)