Partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë nuk flasin më me një zë përsa i përket taksës ndaj Serbisë dhe qasjes së dialogut. Diskutohet mundësitë nga një qeveri me bazë të gjerë deri tek zgjedhjet e parakohshme.
Transmetuesi publik ndërkombëtar i Gjermanisë, Deutsche Welle, shkruan se janë dy qëndrime brenda koalicionit qeverisës lidhur me taksën ndaj prodhimeve serbe, që ka bërë që të ketë luhatje ndërmjet partive në pushtet, ndonëse, asnjëra nga to zyrtarisht nuk pranojnë se koaliconi është i paqëndrueshëm.
Është kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili megjithë presionin ndërkombëtar, posaçërisht atij të SHBA-së për heqjen e taksës ndaj Serbisë, ai që thotë, se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Haradinaj, thotë edhe brenda koalicionit i kanë “pikëpamjet se si mund të ecin proceset më mirë lidhur me taksën”, por, shton se “vendimi për taksën do të respektohet, sepse është vendim i Qeverisë”.
“Ne kemi një vendim dhe derisa ekziston vendimi, këto janë mendime tona të ndërsjella, mund të diskutojmë, mund të vazhdojmë me diskutime, por, vendimi respektohet, sepse është vendim i Qeverisë. Edhe ne kemi dëshirë me hequr, nesër e kishim hequr, sikur të na kishte njohur Serbia. Tani është mirë me kalu në fazën finale të dialogut dhe me ndodhë njohja, sepse është në të mirën e të gjithëve në rajon, por edhe me na vendos kushte nuk bën dhe nuk parashihet me shku në dialog me kushte”, thotë Ramush Haradinaj.
Qeveri me bazë të gjerë?
Partneri i madh i koalicionit qeverisës Partia Demokratrike e Kosovës, (PDK), së fundi ka propozuar që taksa ndaj prodhimeve të Serbisë të pezullohet për 120 ditë, në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut duke pritur edhe reflektimin e Serbisë.
Këtë po e kërkon edhe SHBA. Në të kundërtën sipas PDK-së nëse Serbia nuk reflekton, kjo taksë mund të rivendoset serish.
“Sot ky vendim po i prish marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ministri i PDK-së në qeveri Abelard Tahiri.
Në këtë situatë, ku dy partnerët kryesorë të koalicionit kanë qëndrime të ndryshme rreth vendimeve qeveritare, në mediet e Prishtinës ka nisur debati për “qëndrueshmërinë”, e këtij koalicioni dhe mundësinë e krijimit të një qeverie me bazë të gjerë, ku do të përfshihej edhe partia më e madhe opozitare LDK, e cila po ashtu ka rezervat e saj, sa i përket vendosjes së taksës ndaj prodhimeve të Serbisë pa një analizë të mirëfilltë, ku kërkon që të respektohen edhe këshillat e miqve të Kosovës, sidomos atyre të SHBA-së.
Madje është vetë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili ka thënë se nëse “nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë, mund të ketë opsion të dytë, riformatim të institucioneve dhe udhëheqësi në bazë të fuqisë politike në parlament. Njëra nga deputetet e LDK-së, Vjosa Osmani,thotë se megjithatë zgjedhjet e reja do të ishin opsioni më i mirë.
“Në kohën kur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përmendur këtë ide për qeveri gjithëpërfshirëse, e ka përmendur vetëm si një alternativë nëse nuk ka zgjedhje. Por, ne si LDK akoma vazhdojmë të insistojmë se zgjedhja e vetme, e cila na nxjerr nga ky qorrsokak në aspektin e krizës institucionale janë zgjedhjet që do të prodhonin një qeveri të fuqishme jo vetëm në numra por edhe në aspektin e legjitimitetit demokratik, e cila përfaqëson Kosovën në Bruksel”, është shprehur Vjosa Osmani.
Ajo thotë se qeveria gjithëpërfshirëse nënkupton një qeveri, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë dhe ku do të ketë një afat kalimtar vetëm për të përfunduar çështjen e dialogut.
Situata aktuale është bllokuese
Analisti politik Blerim Burjani, i tha DW-së, se duke parë dallimet në qëndrime të partnerëve të koalicionit sa i përket taksës ndaj Serbisë dhe shto këtu edhe presionin amerikan për heqjen e taksës e nga ana tjetër këmbënguljen e Ramush Haradinajt që taksa të qëndrojë, një qeverie e re dhe një kryeministrër tjetër, duket e pashmangshme.
“Një qeverisje e re dhe një kryministër tjetër duket të jetë e pashmangshme, pra themelimi i një qeverie me legjitimitet më të plotë se kjo aktuale dhe më të arsyeshme dhe me pragmatike dhe fleksibile është domosdoshmëri. Kthimi i qeverisjes PDK dhe LDK po vjen duke u dukur si realitet i vetëm për të zgjidhur problemin e taksës dhe arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Nuk besoj, se do të ketë Qeveri gjithëpërfshirëse, por do të ketë qeveri me ata qe do të hyjnë në një qeveri tranzitore deri në zgjedhje të jashtëzakonshme” thotë Blerim Burjani.
Sipas tij, qëndrimi i palëkundur i kryeministrit Ramush Haradinaj, për mos-heqjen e taksës ndaj Serbisë, duket se ka bllokuar rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ndonëse nuk do të duhej të ishte kështu.
“Ideja është të zgjidhen problemet e krijuara nga taksa dhe mos heqja dorë për ta pezulluar, ka bërë dhe është krijuar një bllokim dhe betonim për të rifilluar dialogun, andaj sa më parë që ndodhë riformatimi qeveverisës aq më pozitive do të jetë për Kosovën. Riformatimi po duket më reale, sesa zgjedhjet e jashtëzakonshme”, thotë Blerim Burjani.
LDK të mos vetëpërjashtohet
Jo realiste idenë dhe kërkesën e LDK-së për zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë situatë po e cilëson edhe një analist tjetër politik Artan Muhaxheri.
Ai thotë se zgjedhjet e reja bartin pasiguri të mëdha në kuptimin e konsolidimit të koalicioneve paszgjedhore.
“Nuk do të ishte normale që LDK-ja të vetëpërjashtohej prej etapës së fundit të dialogut në Bruksel dhe nga të kontribuarit në legjitimitetin e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo duket se është arsyeja pse aleatët ndërkombëtarë të Kosovës janë duke i analizuar modalitetet e opsionit më të përshtatshëm që do ta bindte LDK-në të bëhej pjesë përbërëse e vendimmarrjes institucionale në këtë periudhë”, thotë Artan Muhaxheri.
Sidoqoftë, taksa e qeverisë së Kosovës e vendosur ndaj prodhimeve të Serbisë, dhe kërkesa e faktorit ndërkombëtar që të hiqet kjo masë dhe t’i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi, ka bërë që skena politike kosovare të jetë e paqëndrueshme dhe të mos flasë me një zë për këtë problematikë.
Nga ana tjetër është Beogradi zyrtar që ka kushtëzuar rifillimin e dialogut me Kosovën me heqjen e taksës, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj, po kërkon që taksa të mos ndërlidhet me dialogun duke i cilësuar si dy tema të ndara.
COMMENTS