Kirurgjia kozmetike është një lloj i kirurgjisë plastike, qëllimi i së cilës është të përmirësojë pamjen e një personi.
Kirurgjia kozmetike po vazhdon të rritet me 15.1 milion procedura kozmetike të kryera në vitin 2013 dhe një rritje prej 3% këtë vit. Procedurat janë të përshtatshme për të gjitha pjesët e trupit, mirëpo vendimi për ta bërë një ndërhyrje të tillë nuk duhet të jetë aq i thjeshtë. Zakonisht rezultatet janë permanente, kështu që është shumë e rëndësishme të merret një vendim i arsyeshëm dhe i menduar mirë.
Një kirurg kozmetik zakonisht këshillon një ekzaminim paraprak të pacientit, sidomos nëse ai ka ndonjë problem i cili do të mund ta vështirësonte ndërhyrjen dhe në rastet kur pacienti tregon shenja të çregullimit dismorfik të trupit. Njerëzit me këtë çrregullim kanë prirje të mendojnë së gjithmonë ka një problem serioz me pamjen e tyre edhe pse evidencat objektive nuk e tregojnë këtë, shkruan Medical News Today, transmeton Gazeta Express.
Kirurgjia ri-konstruktive është një lloj tjetër i kirurgjisë plastike, që ka për qëllim të përmirësojë funksionimin e një pjese të caktuar të trupit apo përmirësimit e formave të trupit.
Disa nga ndërhyrjet më të përhapura në kirurgjinë kozmetike janë:
Operacioni i gjoksit – Mamoplastia përfshin zvogëlimin, rritjen dhe ngritjen e gjoksit. Gjatë ndërhyrjes së rritjes së gjoksit përdoren materiale si xhel silikoni apo prostetikë. Zvogëlimi I gjoksit bëhet duke hequr inde të tepërta duke mos dëmtuar strukturën e brendshme të gjoksit, kurse ngritja e gjoksit bëhet zakonisht nga femrat të cilat me moshë kanë humbur elasticitetin e lëkurës.
Liposuksioni – kjo procedurë përdorë disa tuba të cilët heqin yndyrën dhe indet yndyrore nga disa pjesë të trupit, zakonisht nga abdomeni, ijet, krahët apo qafa. Liposuksioni nuk duhet të kuptohet si një metodë e heqjes së peshës së tepërt, kjo procedurë më shumë shërben për konturimin e disa pjesëve të trupit.
Rinoplastia – nënkupton riformësimin estetik të hundës, por edhe përmirësimin e kanaleve të frymëmarrjes. Kjo procedurë mund të aplikohet në inde të buta të hundës dhe në ashtin e hundës, varësisht nga problemi.
Otoplasia – ndryshe njihet si ndërhyrja e veshëve, e cila trajton formën apo bën zvogëlimin e veshëve. Kjo procedurë më së shumti aplikohet tek fëmijët e moshës 5 dhe 6 vjeç.
Ritidektomia – ndryshe njihet si ‘ngritja’ e fytyrës, dhe ka për qëllim që me anë të ndërhyrjes kirurgjike të heqë rrudhat dhe të ngritë lëkurën në mënyrë që të arrihet një pamje më e re.
Mbushjet – janë disa implante mjekësore që ndihmojnë që fytyra të duket më e re dhe më e freskët. Mbushjet përdoren edhe ne regjionin e buzëve.
Rreziku nga këto operacione është pak a shumë në nivel të njëjtë me rrezikun gjatë ndërhyrjeve të tjera kirurgjike. Shoqata e Kirurgëve Plastikë në Amerikë iu bën thirrje personave që i janë nënshtruar operacioneve kozmetike, që nëse vërejnë disa nga këto simptoma të konsultohet me mjekët. Disa nga këto simptoma që paraqesin një situatë jo normale post-operative janë: dhimbje jo normale, lëkurë e bardhë afër vendit në të cilin është kryer ndërhyrja, shenja të sulmit në zemër dhe vështirësi në shikim.
COMMENTS