LDK: Shpendi në panik, kërkon shpëtim nëpërmes koalicionit të biznesit

LDK: Shpendi në panik, kërkon shpëtim nëpërmes koalicionit të biznesit

“Abrashi po fiton!”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një komunikate, vlerëson se kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, pasi ka pranuar sondazhet e fundit, i përballur me panikun e humbjes së zgjedhjeve dhe zbulimin e skandaleve nga auditori, po kërkon shpëtim nga koalicionet e biznesit në dëm të interesave të qytetarëve të Prishtinës.

“Shpend Ahmeti dhe partia e tij Vetëvendosje, gjatë kësaj fushate zgjedhore janë përballur me heqjen e maskës së propagandës dhe keqmenaxhimit të evidentuar nga auditori dhe ndodhen në panik për shkak të rritjes së fuqishme të përkrahjes për kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi, i cili sipas të gjitha sondazheve do të zgjidhet kryetar i Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatën e LDK-së, përcjell Telegrafi.

LDK thotë se “Vetëvendosje dhe AKR duhet ta dinë se vullneti i qytetarëve të Prishtinës për ndryshim, nuk është një pazar që dikush e shet (AKR) dhe dikush tjetër e blenë (Vetëvendosje). Qytetarët e Prishtinës janë njerëz të lirë dhe të devotshëm të këtij shteti që vendosin vetë për fatin e tyre dhe po shihet qartë se ata janë përcaktuar për ndryshim, i cili vjen nëpërmes Abrashit dhe ekipit të tij”.

“Marrëveshja e Vetëvendosjes me AKR-në, është kryekëput klienteliste dhe ka për qëllim bërjen e pazareve të ulëta biznesore, ndarjen e profiteve në dëm të interesave të qytetarëve të Prishtinës. Vetëvendosje është e njohur për diskursin e saj politik kundër AKR-së, madje këtë parti Vetëvendosje e ka akuzuar edhe për tradhti dhe lidhje afariste me Rusinë”.

“Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti janë të njohur për qeverisje me zhurmë dhe pa bërë asgjë, për injorim të kuadrove të Prishtinës, për rekrutim të 500 militantëve nga komunat tjera, një pjesë e të cilëve janë edhe organizatorë të shkatërrimit të qytetit, tani dalin dhe lidhin koalicion me një parti të cilën e kanë etiketuar klienteliste dhe me lidhje të dyshimta”, thuhet në kumtesë.

“Si u bë që kjo-AKR përnjëherë të bëhet e pranueshme për Vetëvendosjen? Arsyeja është e thjeshtë, panika e humbjes në zgjedhje dhe synimi për ndarjen e sferave të interesit, ku ndër të tjera mund të jenë përfshirë edhe jahtet dhe aeroplanët privatë. LDK dhe kandidati i saj Arban Abrashi vlerësojnë se interesat e qytetarëve të Prishtinës nuk i mbrojnë ata që ndërrojnë qëndrime sa herë që kanë nevojë për fituar pushtet. Ahmeti gjatë qeverisjes së tij do të mbahet mend për propagandë të rrejshme, punësime politike në dëm të qytetarëve të Prishtinë, për mosrealizimin e asnjë projekti domethënës në kryeqytet, ndërsa në balotazh do të mbahet mend se si qytetarët e Prishtinës nuk do t’ia pranojnë pazarin në dëm të interesave të tyre”.

LDK thotë se posedon kandidatin me biografinë më të pastër, me rezultate konkrete në të gjitha fushat dhe çka është më e rëndësishmja, programi i tij konkret, me rezultate të matshme përfaqëson më së miri të ardhmen e Prishtinës.

LDK i fton qytetarët e Prishtinës që të mos bien pre e propagandës, mashtrimeve dhe pazareve të ulëta të Ahmetit dhe partisë së tij.

“Programi i Abrashit për Prishtinën pa dyshim është fitues në zgjedhjet e 19 nëntorit, kur Prishtina do të ketë një kryetar i cili nuk do të shëtitet me jahte dhe aeroplanë privatë nëpër metropole evropiane, por do të jetë në krye të detyrës për të zbatuar programin i cili gjeneron zhvillim, punësim dhe mirëqenie për qytetarët”.

“LDK i fton qytetarët e Prishtinës që të shikojnë veprimet dhe punët konkrete të dy kandidatëve në balotazh dhe të bëjnë dallimin ndërmjet kryetarit në ikje i cili vetëm ankohet dhe nuk bën asgjë dhe kryetarit në ardhje -Abrashit i cili ka lënë gjurmë në të gjitha institucionet publike ku ka punuar deri më tani”, përfundon kumtesa e LDK-së.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)