‘Shpend negociatori’ realizoi vetëm 12% të premtimeve në Prishtinë

‘Shpend negociatori’ realizoi vetëm 12% të premtimeve në Prishtinë

Vrasja për motive të ulëta në Gjakovë, pamje nga vendi i ngjarjes (Foto)

Premtimet elektorale të kandidatëve për kryetarë komunash janë të shumta, e realizimi i tyre shpesh ngec e mungon.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në fushatën e tij elektorale i dha jo më pak se 81 premtime për t’i realizuar gjatë mandatit të tij të dytë si kryetar i Prishtinës.

E tash që kanë kaluar 1 vit e 3 muaj nga fillimi i mandatit të tij të dytë si kryetar i kryeqytetit, në një statistikë të fundit të Institutit Gap i publikuar më 31 dhjetor të 2018, në tabelën e projekteve të Komunës së Prishtinës që ishin premtuar nga kryetari Ahmeti, të përfunduara figurojnë vetëm 10, nga 81 sa i ka premtuar, shkruan lajmi.net

Disa nga premtimet e përmbushura nga kryetari Shpend Ahmeti janë ‘projekte që kryhen me një fjalë’, si “Themelimi i Drejtorisë së Parqeve, Testimi me shkrim i kandidatëve për mësimdhënës, Funksionalizimi i “Info Qendra Turistike” dhe Fondi i veçantë financiar për mbështetjen e nismave për grafitë artistike në muret dhe hapësirat e qytetit.

Ndër këto premtime të realizuara janë edhe: “Prokurimi elektronik me qasje edhe për qytetarë, Rindërtimi i rrugës “Richard Holbrooke” , zgjerimi i rrugëve “Holger Petersen” dhe “Gjilani” në Hajvali, Hartimi i një plani të ri për mbledhjen e mbeturinave në qytet, Ndarja e 1 milion eurove çdo vit për parqet në qytet, Autobusë tjerë të rinj në Prishtinë, Hapja e një kuzhine popullore”

Kjo përkthyer në përqindje, i bie se vetëm 12,5 për qind të premtimeve parazgjedhore të Shpend Ahmetit janë realizuar në tërësi.

Ndërkohë, 2 premtime tjera janë gjysmë të përmbushura, e 30 të tjera veç kanë filluar.

Ndarja e mbeturinave sipas produkteve dhe materialit që fillimisht është planifikuar të ndodh në lagjen Dardania dhe vendosja e katër E-kioskave nëpër bashkësi lokale janë dy projekte të Ahmeti i ka gati të përfunduara.

Ndërsa, komuna e Shpend Ahmetit ka filluar 30 projekte të tjera, të cilat nuk janë as afër përfundimit.

Ndërtimi i pesë shkollave në Prishtinë: “Sofali”, “Kalabri”, “Arbëri”, “Mati 1”, dhe në zonën “Prishtina e re” ishte një nga premtimet parazgjedhore të Ahmetit, e deri më tani vetëm shkolla në lagjen ‘Arbëria’ është përfunduar, ndërsa për të tjerat procesi i përzgjedhjes së lokacionit ende nuk ka përfunduar.

Njëlloj ka ndodhur edhe me premtimin e tij për ndërtimin dhe hapjen e çerdheve të reja në vitin 2018: “Kalabri”, “Kolovicë”, “Bardhosh” dhe “Prishtina e re” e që nuk janë realizuar.

Premtime shumë me rëndësi të kryetarit Shpend Ahmeti, që kanë filluar por nuk janë as afër të realizohen janë edhe ofrimi i pronave komunale për shfrytëzim për biznese dhe bujq e që nuk janë dhënë, ndërtimi i parkingut nëntokësor te Fakulteti Filologjik ku ani pse është nënshkruar kontrata, puna nuk ka filluar ende.

Lidhja e rrethit të Fushë Kosovës me lagjen “Arbëria”, Rregullimi i varrezave të dëshmoreve në Prishtinë, Ndërtimi i qendrave kulturore në lagjen “Kodra e Trimave” dhe lagjen “Ulpiana”, janë premtime të tjera të Ahmetit të cilat kanë filluar procedurat për ende nuk janë as në fazën e parë të realizimit të tyre.

Zgjerimi i rrjetit të Termokosit ka filluar të ndodh vetëm në një pjesë të Bregut të Diellit dhe disa zona të Ulpianë.

Ende nuk ka filluar as ndërtimi i sallës koncertale, as hapja e strehimores rajonale për vendosjen dhe trajtimin e qeneve endacakë, as ndërtimi i qendrave sociale për të moshuar e as nuk është funksionalizuar ndërmarrja lokale “Prishtina Parking”.

E komuna e kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe njërit nga kryesuesit e delegacionit të Kosovës për dialogun, nuk ka filluar fare një varg të projekteve me rëndësi që ishin premtuar në fushatën zgjedhore.

Formimi i Odës Ekonomike të bizneseve të Prishtinës, Vazhdimi i mësimit gjithë ditor në disa shkolla të Prishtinës, Ndërtimi i ‘Rrugës A’ në Lagjen “Mati”, Ndërtimi i një QMF-je në lagjen “Veternik”, Një autoambulancë do të jetë e dedikuar në hapësirat e parkut të Gërmisë dhe të tjera premtime as nuk janë filluar.

Nëse e llogarisim me përqindje, nga 81 premtimet e Shpend Ahmetin vetëm 10 prej tyre janë realizuar që i bie të jetë vetëm 12.5 për qind.

Në anën tjetër, 30 nga këto premtime janë në fazën fillestare të tyre të realizimit, e pothuajse gjysma e tyre, saktësisht 39 prej tyre ende nuk kanë filluar.

Shpend Ahmeti është akuzuar kohëve të fundit nga ish-partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje se e ka lënë pas dore komunën pas përfshirjes së tij në ekipin negociues me Serbinë.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)