U alarmuan shumë qytetarë për një grua që u spekulua se kidnaponte fëmijë nëpër Kosovë. Madje, në grupet e prindërve në rrjete sociale u paralajmërua për kujdes nëse dikush e sheh këtë grua. Më pas, në rrjete sociale nisi të shpërndahej se nuk ishte grua, ishte burrë i veshur si grua. Në përgjigje zyrtare për Express, policia thotë se nuk ka ndonjë rrezik nga ky person.
E fotografuar në vende të ndryshme, fotografitë e saj pushtojnë rrjetet sociale, Facebook, Instagram dhe Twitter – të gjithë shkruanin për rrezikun që ajo përbënte.
Por, në të vërtetë, kjo grua nuk përbente ndonjë rrezik dhe Policia e Kosovës atë e kishte ndaluar disa herë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se nuk është raportuar në polici për ndonjë vepër që ka bërë personi në fjalë.
“Policia e ka identifikuar dhe i përket komunitetit rom dhe deri tani nuk ka asnjë raport zyrtar për përfshirje në ndonjë rast, po ashtu nuk ka asnjë viktimë të paraqitjes së ndonjë rasti për zhdukjen e ndonjë fëmije ku personi i apostrofuar është personi i dyshuar”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se personi në fjalë është nga Podujeva, dhe ishte ndaluar në Malishevë, më datën 23 të këtij muaji, por nuk kishe hasur në diçka të dyshimtë te ky person.
Gruaja për të cilën u fol shumë në rrjetet sociale, sipas policisë, u ndalua edhe sot në rrethin e Fushë-Kosovës, u verifikua identiteti i saj dhe nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal.
Ndërsa, zëdhënësja e PK-së në rajonin e Gjakovës, Lirie Podrimja, ka thënë se ajo ishte riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011 dhe është trajtuar nga punëtorët e mirëqenies sociale në Podujevë dhe Prizren. Inicialet e saj janë Z.S.
Një nga mesazhet që është shpërndarë në rrjete sociale për këtë grua ishte se kishte kidnapuar katër fëmijë.
“Përshëndetje, shpresoj që ta shihni këtë mesazh, doja t’ju tregoja rreth ca rasteve qe kanë ndodhur ditët e fundit në Malishevë, Prizren dhe shumë qytete të tjera, po shfaqet një burrë i veshur sikur grua nëpër stacioni të autobusëve dhe në markete, qëllimi i tyre është t i vjedhin fëmijët sipas disa informatave thuhet se që deri tani kanë vjedhur 4 fëmijë. Doja të doja shumë që këtë lajm ta postoni sado pak t’i informoni njerëzit”, thuhet në një shkrim që u publikua në rrjete sociale, të bashkangjitur me fotografinë e gruas në fjalë.
COMMENTS