Mësuesi Ahmet, 47 vjet në misionin e edukatorit të brezave

Mësuesi Ahmet, 47 vjet në misionin e edukatorit të brezave

Qindra persona në varrim i thonë lamtumirë Fadil Vokrrit

Në ditën e pensionimit zyrtar të mësuesit të parë të fshatit Magure, Ahmet Imeri.

E filloi misionin dhe e përfundoi misionin e edukatorit, duke qenë shembull në trupën arsimore, kudo që punoi. Dyzet e shtatë vjet të plota, krejt suksese. Ish-nxënësit e tij, sot janë kuadro të afta të profileve të ndryshme, janë edhe kolegë në punën e mësuesit, janë juristë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, gazetarë të dalluar, janë edhe në pozita të ndryshme menaxhuese. U pensionua si mësues i shkollës nëntëvjeçare, SHFMU “Haradin Bajrami”, në Magure.

Dyzet e shtatë vjet në misionin e shenjtë të mësuesit. Dyzet e shtatë, gjithënjë me ditar në dorë, nuk janë pak. Janë goxha 47 vite të nisesh rrugës për në shkollë, të takosh ata që më së shumti kishin nevojë për edukatë dhe për dije, fëmijët, më të padjallëzuarit, nxënësit dhe të mësosh edhe për të nesërmen, për të ardhmen e brezave të së ardhmes. Janë goxha shumë, sidomos për faktin që të gjitha vitet e shkollimit fillor e të mesëm, kanë qenë tepër të rënda. Vitet e shkollimit fillor, tetë vite, rrugëtim krejt në këmbë, prej Magures e deri në Torinë, Poturovc, Dobrajë dhe në Vershec. Ky rrugëtim ishte madje goxha rëndë i përballueshëm edhe si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike të prindërve të personazhit të këtij shkrimi. Është fjala për Ahmet Imerin, mësuesin e parë vendës të shkronjave shqipe, banor i fshatit Magure të Lipjanit.

Fill pas përfundimit të shkollës normale, Ahmeti, si 18 vjeç merr Diplomën e Mësuesisë. E menjëherë, që më 01 shtator të vitit shkollor 1972/1973, pranohet mësues në Shkollës Fillore amë që atëher quhej “Jeronim Derada” në Magure të Lipjanit. Ishte lajmi më i lumtur jo vetëm për nxënësit, që nuk kishin mësues të kualifikuar, por edhe për prindërit e tyre e për të gjithë banorët e Magures.

Fatin që t’i mësojë e patën nxënësit e klasës së parë, që krahas dhjetëra nxënësve tjerë të pesë klasave të fillores mësonin në një objekti të vogël dykatësh. I vetëdijshëm për misionin e tij të edukimit dhe arsimimit, Mësuesi Ahmet, që nga viti i parë i punës si mësues, dëshmoi maksimalisht përkushtim për edukimin e nxënësve. Secila gjeneratë dallohej nga bashkëmoshatarët e tyre që mësoheshin nga të tjerë mësues, me dhe pa kualifikim adekuat. Nxënësit e mësuesit Ahmet, pos në mësime, dalloheshin edhe në sjellje. Këtë përkushtim, mësuesi Ahmet, e vazhdoi përherë, gjatë 47 vjetëve të punës së tij me nxënës të më tepër se dhjetë gjeneratave nga mosha 06-11 vjeç.

Ai, punoi njëjtë edhe në rrethana të rënda, pa kushte, pa hapësirë e ambient adekuat mësimor, edhe në kushte të mbijetesës së shkollës shqipe në Kosovë, vitet 1991/1999, në vitet e trysnive e ndjekjeve nga forcat e okupatorit serb. Për këtë përkushtim, edhe sakrificë shëndeti, mësuesi Ahmet, pos fjalëfalënderimeve nga prindërit e fëmijëve-nxënësve, është nderuar me Mirënjohje dhe me çmime nga Drejtoria e Shkollës. Epitetin e mësuesit të dalluar, mësuesi Ahmet, e fitoi edhe në vitin e fundit të punës me nxënës. U nderua me Mirënjohje dhe me çmime. Respekti te prindërit dhe epiteti i mësuesit të dalluar, që padyshim donte edhe disiplinë te nxënësit, e bënte edhe më të vendosur këtë mësues, që të vazhdonte edhe më me përkushtim angazhimin për të nxjerrë në dritë e për t’i edukuar drejtë fëmiljët e prindërve, që s’e kishin pasur fatin të shkolloheshin. E, Mësuesi Ahmet, për 47 vjet sa punoi, deri në fund të vitit mësimor, të vitit shkollor 2019/2020, në qershorin e këtij viti, dëshmoi jo vetëm aftësi e dije, por edhe gatishmëri për të arritur maksimumin në misionin e shenjtë të mësuesit. E filloi misionin dhe e përfundoi misionin e edukatorit, duke qenë shembull në trupën arsimore, kudo që punoi. Dyzet e shtatë vjet të plota, krejt suksese.

Mësuesi Ahmet, u është gëzuar arritjeve të ish-nxënësve të tij. Shkolla shqipe, edhe sot, ani se ka shumë kuadro, mjaft mësues, ka nevojë për mësues të dalluar, si Ahmet Imeri. Këta, e bëjnë edhe më të lumtur mësuesin Ahmet, i cili, karrierën e mësuesit e ka përfunduar në fund të këtij viti mësimor, por zyrtarisht do të pensionohet me  19 gusht,  në ditëlindjen e tij të 65-të.

Megjithë lotët për ndarjen e detyrueshme nga nxënësit, mësuesin Ahmet, të birin e Ismajlit dhe Azemines, e bëjnë të lumtur në familje e në shoqëri dy djemtë, Dardani 36 vjeç dhe Arijani 33 vjeç si dhe vajzën Vjosa e cila ka trashëguar profesionin e babait, si dhe 2 nipa e 3 mbesa.

Mësuesi Ahmet është autor i dy romanëve të titulluar “Shkëmbi” si dhe “Shtrëngata në Trojë”./Ulpianapress/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)