“Fondi 3%”, Naser Osmani për gjashtë vjet tërhoqi mbi 800 mijë euro

“Fondi 3%”, Naser Osmani për gjashtë vjet tërhoqi mbi 800 mijë euro

Ulpiana e ‘turpëroi’ Lirinë, momenti kur portieri shënon gol nga pika e bardhë

Gjatë periudhës 2006-2012, mbi 800 mijë euro ishin tërhequr nga Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, derisa nuk ka dëshmi për mënyrën e shpenzimit për mbi 150 mijë euro.

Një deklarim të tillë e ka bërë eksperti financiar, Bujar Qorolli, i cili është dëgjuar në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Naser Osmani dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, Atdhe Gashi, po akuzohen për shmangie nga tatimi dhe për shpërdorim, në rastin që njihet ndryshe si fondi i 3%-shit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, akuzohet edhe ish-kryeministri Bukoshi, por procedura ndaj tij është veçuar.

Eksperti Qorolli, ka thënë se në bazë të dokumentacioneve të pranuara nga prokuroria, janë analizuar llogaritë bankare të personave që kanë udhëhequr apo menaxhuar OJQ “Fond” dhe OJQ “UFORK”, ku sipas tij në “Fond”, llogarinë bankare e ka menaxhuar Bujar Bukoshi, ndërsa të akuzuarit Osmani dhe Gashi kanë qenë të autorizuar në atë llogari, si dhe janë analizuar llogaritë personale të të akuzuarve.

Ai ka shpjeguar analizën e bërë të llogarive bankare si dhe rrjedhën e hyrje-daljeve të mjeteve në “UFORK”, sipas të cilit, diferenca në mes tyre ka qenë në vlerë prej 154,132.47 euro, për të cilat mjete ka thënë se nuk u ishte ofruar ndonjë dëshmi për burimin e shpenzimeve.

“OJQ UFORK në vitin 2006, ka pranuar gjithsej 335,632.10 euro. Gjatë analizimit të kësaj llogarie për këtë periudhë nga Osmani dhe Gashi gjithsej janë tërhequr 832,340.00 euro, për periudhën 2006-2012. Në emër të shpenzimeve të udhëtimit janë transferuar 2100 euro, si dhe në llogarinë personale të Osmanit janë transferuar 1000 euro. Gjatë analizimit të dokumentacionit financiar të pranuar, në emër të pagave janë shpenzu 123,350.00 euro, ndërsa shpenzimet operative janë gjithsej 59,640. 37 euro. Diferenca në mes të hyrave dhe shpenzimeve është 154,132.47 euro, për të cilat mjete nuk më është ofru asnjë dëshmi për burimin e shpenzimit të këtyre mjeteve”, ka thënë Qorolli.

Në pyetjen e prokurorit special, Atdhe Dema, se a kishin bërë përpjekje për të identifikuar burimin e shpenzimeve të këtyre mjeteve, Qorolli ka thënë se në konsultim verbal me prokurorinë, atij i ishte thënë se aq ka dokumentacion dhe ekspertiza përfundohet me dëshmitë e poseduara.

Qorolli ka shtuar se në dokumentacionin e ofruar nga prokuroria nuk kishte pasur raport të mirëfilltë financiar për “UFORK”-un, por vetëm kartela të institucioneve, ditar të arkës dhe pagat për periudhën 2008-2012.

Gjatë përgjigjes në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuari Osmani, avokatit Florent Latifaj, eksperti ka thënë se të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kanë pasur qasje në dy llogari bankare të bankës “NLB”, edhe pse sipas tij, “UFORK”, ka pasur llogari të hapura në katër banka komerciale të Kosovës.

Ai tutje ka shtuar se të akuzuarit veprimin e fundit në llogarinë bankare në Bankën për Biznes (BPB), e kanë bërë në mars të vitit 2012, pasi që sipas tij, më pastaj nuk ka pasur mjete në këtë llogari.

Në seancën e së enjtes, është dëgjuar edhe zyrtari i ATK-së, Fidan Tolaj, i cili ka thënë se në vitin 2008, nga jashtë Kosovës, ishin transferuar mbi 21 mijë euro në xhirollogarinë e Naser Osmanit, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.

Sipas tij, ky transferim ishte bërë nga jashtë, përkatësisht nga Gjermania, me përshkrimin “pagesat korrik 99- dhjetor 2007”.

“Ne kemi gjetur dhe konstatuar se në periudhën tatimore në vitin 2008, Naser Osmani në llogarinë e tij bankare ka pranuar mjete financiare, para përmes transferit bankar nga jashtë Kosovës, shumën prej 21,241.00 euro, me përshkrimin bankar “pagesa korrik 99 – dhjetor 2007 – transfer. Edhe këto të ardhura është dashtë të deklarohen si të ardhura me burim nga jashtë gjë për të cilën ka rezultuar një shmangie tatimore prej 3510 euro”, ka thënë ai.

Ndryshe, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Por, në seancën e së enjtes zyrtari i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Fidan Tolaj, ka deklaruar se shmangia e tatimit e konstatuar nga ana e ATK-së, në shumën prej 3510 euro, i përket vetëm periudhës për vitin 2008, por jo edhe për periudhat tjera të përfshira në aktakuzë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Atdhe Dema, zyrtari i ATK-së ka deklaruar se për periudhat e tjera të përfshira në aktakuzë, përgjegjës për deklarimin tatimor për pagat e OJQ “UFORK”, ka qenë drejtuesi i organizatës, që në këtë rast i bie të jetë ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi.

“Këtë e kemi konstatu sipas ligjit të ATK-së që kjo ka qenë përgjegjësi e këtyre dy personave që këto shuma ti deklarojnë. Detyrimi tatimor, respektivisht shmangia tatimore për të akuzuarit ka ndodhur në vitin 2008, ndërsa për periudhat tjera nuk kemi gjet që iu kanë shmangur tatimit. Shmangia e tatimit në paga respektivisht obligimi për deklarimin në paga qoftë për këta të pandehur dhe të tjerët që kanë punuar apo kanë pranuar paga nga UFORK-u përgjegjësia bie mbi punëdhënësin respektivisht drejtuesin që në atë kohë ka qenë Bujar Bukoshi,”, ka thënë Tolaj.

Ai ka shtuar se organizata joqeveritare “UFORK”, fare nuk ka deklaruar obligimet e saj tatimore kundrejt punëtorëve të saj.

Tolaj deklarim të ngjashëm kishte edhe për të akuzuarin tjetër Atdhe Gashi, tek i cili në emër të pagesave nga jashtë Kosovës, më 25 shtator 2008, në llogarinë e tij private në bankën NLB, i kishin arritur 17,026.50 euro, e që sipas Tolaj për këtë shumë ka rezultuar një shmangie tatimore prej 2667.30 euro.

Ndërsa, i akuzuari Osmani, i ka prezantuar atij, vërtetimin e ATK-së të 7 qershorit 2017, për të cilin dokument Tolaj ka thënë se i akuzuari Osmani nuk ka detyrime si borxh në ATK, deri më këtë datë.

Mirëpo, sipas Tolajt, ky borxh i të akuzuarit nuk figuron në ATK pasi që administrata për të bërë vlerësimin tatimor me autorizimin e prokurorisë është kthyer më shumë se gjashtë vite prapa, mirëpo në të kundërtën në baza ligjore, sipas tij, ATK kthehet gjashtë vite pas.

“Ligji 03/L-222 parasheh që administrata tatimore në çdo kohë mund të kthehet 6 vjet mbrapa me bo ni vlerësim tatimor ndaj çdo subjekti.. Arsyeja pse e kem bo ni raport të tillë jashtë 6 viteve është autorizimi i prokurorisë, për këtë arsye nuk figuron borxh tatimor nga dy të pandehurit ndaj administratës tatimore” , ka thënë Tolaj.

Përpos hetuesit dhe ekspertit financiarë, në gjykatë kanë dhënë dëshminë e tyre edhe shoferi i Bujar Bukoshit, Skender Cakolli si dhe shtëpiaku i “UFORK”-ut, Fadil Cakaj, të cilët kanë shpjeguar detyrat e tyre për punën e kryer deri në vitin 2011.

Në seancën e së enjtes pas propozimit të prokurorit Dema, si dhe pajtimit të të akuzuarve Osmani dhe Gashi, me mbrojtësit e tyre, avokatin Latifaj si dhe avokatin Arianit Koci, gjykatësja e rastit Medie Bytyqi ka marrë aktvendim që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të tjerë, Hafiz Gagica, Nezir Fejza dhe Maxhun Maloku, të dhënë në polici dhe prokurori.

Gjithashtu, pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Bytyçi ka aprovuar propozimin e palës së akuzuar që të administrohet si provë ekspertiza financiare e 20 janarit 2019, e përpunuar nga eksperti financiar gjyqësor Riza Blakaj.

Paraprakisht në seancën e së enjtes palët në procedurë kanë dhënë edhe fjalën e tyre hyrëse.

Seanca e radhës është caktuar më 28 gusht në orën 10:00, ku do të bëhet administrimi provave materiale si dhe do te japin mbrojtjen e tyre të akuzuarit Osmani dhe Gashi.

Ndryshe, aktakuza ndaj Bukoshit, Osmanit dhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 28 prill 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmani për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetit apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë project, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherit edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, Kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që ti deklaroj në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njejti ka qenë i obliguar që këto të ardhura ti deklaron në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)