Plani i Bekim Brestovcit për 10-15 mijë vende pune

Plani i Bekim Brestovcit për 10-15 mijë vende pune

Kosova ndalon importin e mishit të derrit nga Hungaria, shkak “Murtaja Afrikane”

Kandidati për deputet nga Nisma Social Demokrate, në një intervistë ka folur për planet e tij për hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Intervista:

Zoti Brestovci, si një afarist i njohur dhe i suksesshëm, cka ju shtyri të ktheheni në Kosovë dhe të inkuadroheni në politikë?

Megjithëse i larguar nga Kosova për shkak të përndjekjes nga regjimi serb në vitin 1993, kontributi im për vendin, ka qenë i vazhdueshëm dhe në forma të ndryshme. Për gjatë këtyre 25 viteve, pas shumë sfidave, punës së parreshtur dhe pas shumë sukseseve në ngritjen e bizneseve të fushave të ndryshme, vendosa që bashkë me familje të kthehem për të jetuar dhe kontribuar në Kosovë. Them të drejtën, u ndjeva i përmbushur me të gjitha synimet që kam pasur dhe ku qëllimi ishte gjithmonë që të kthehem në atdhe ku mund ta jap kontributin përmes përvojës dhe dijes në shërbim të shoqërisë kosovare. Pas dy dekada e gjysmë, të njëjtat këpucë me të cilat u largova nga Kosova i kam përdor edhe për t’u kthyer në Kosovë. Pra, i kam ruajtur për 25 vjet këpucët e ikjes, për t’i shndërruar në këpucë të kthimit.

A mund të na thoni shkurtimisht se cila është veprimtaria juaj jashtë Kosovës?

Janë bërë më shumë se një vit, që bashkë me familjen time jetoj në Kosovë. Jashtë Kosovës kam nisur të merrem me biznes nga viti 2004 dhe aktualisht operoj me 11 biznese dhe me rreth 1300 punëtor, ndërsa fushat në të cilat janë të fokusuara bizneset janë: logjistika, renovimi i objekteve, kompani për menaxhim të zonave industriale, kompani për servis pune, etj. Padyshim që një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve nga kompanitë në fjalë janë shqiptarë që jetojnë në diasporë, por bashkëpunojmë më njerëz të etnive dhe kulturave të ndryshme. Gjithashtu, në baza vjetore ofrojmë rreth 100 kontrata punë sezonale për studentët nga Kosovë.

A kishit ndonjë ofertë nga partitë tjera dhe pse zgjodhët NISMA Socialdemokrate?

Kam pas oferta shumë serioze për të cilën jam ndjerë shumë i nderuar, mirëpo Nisma Socialdemokrate për mua ka qenë më bindëse për shkak të orientimit social dekomokrat dhe fal bashkëpunimit që kam rastisur ta kemi me ministritë e drejtuara nga përfaqësues të Nisma-s. Në kuadër të Unionit të Biznesve Gjermano-Shqiptare kemi jetësuar disa projekte bashkë me ministra nga radhët e Nismës dhe ka qenë një bashkëpunim në mirëbesim që ka rezultuar me sukses të plotë.

Si një figurë e suksesshme e diasporës kosovare, si e shihni diasporën? A e ka hapësirën e duhur diaspora kosovare në përfaqësim në Kosovë Z. Brestovci?

Fatkeqësisht konsideroj që diaspora nuk e ka pasur vëmendjen e merituar nga institucionet e Kosovës. Për të ndryshuar këtë situatë, Nisma Socialdemokrate ka krijuar një departament të brendshëm për diasporën, përmes së cilit synojm që të bëhemi zë i bashkëatdhetareve, pavarësisht vendeve ku ata jetojnë apo orientimit të tyre politik. Trajtimi i diasporës si pjesë e Kosovës, si dhe krijimi i hapësirës për përfshirjen e tyre direkte në politikëbërje, është i dobishëm sidomos për shtetin tonë. Unë dhe NISMA konsiderojmë se për diasporën Shteti i Kosovës duhet të ketë politika të veçanta, duke filluar nga lehtësimi i kushteve për pajisjen dokumente të Kosovës për ata pjesëtarë të diasporës që janë të detyruar të heqin dorë nga njëra shtetësi. Republika e Kosovës duhet të njoh dhe të trajtoj nevojat e diasporës kosovare edhe në vendet e tjera ku ata jetojnë. Për shembull, institucionalizimin e mësimit të gjuhës, historisë dhe kulturës shqipe në vendet ku shtrihet diaspora jonë që është imperativ i kohës. Por, kjo mund të realizohet vetëm përmes përfshirjes sa më të madhe të diasporës në gjitha fushat e vendimmarrjes dhe jo vetëm përmes një dikasteri qeveritar me buxhet të vogël.

Me potencialin ekonomik që ka, diaspora edhe sot mund të jetë gjeneratori kryesor i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Përmes politikave zhvillimore, NISMA synon lidhjen e tregut vendor me atë të diasporës. Kjo lidhje do ta shndërronte diasporën në konsumator të produkteve dhe shërbimeve profesionale që prodhohen ose ofrohen (online) në Kosovë. Diaspora jonë bënë një punë të madhe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe lidhjes me vendlindjen, dhe ky kontribut duhet të njihet dhe vlerësohet maksimalisht.

Pse duhet t’a votojnë zotin Brestovci qytetarët e Kosovës?

Me përvojën, dijen, guximin dhe entuziazmin tim, besoj që do t’i kontribuoj qytetarit të Kosovës, drejt shtyrjes përpara të politikave për një perspektivë socio-ekonomike. Rritja e mirëqenies sociale dhe ekonomike vjen me punësim të dinjitetshëm, ndërsa kjo e fundit arrihet falë investimeve nga jashtë dhe aftësimit profesional. Fusha këto në të cilat unë mendoj se do të kontribuoj përmes shfrytëzimit të lidhjeve të mia me bizneset e diasporës, si dhe përgatitjes së programeve të ndryshme për edukim profesional që i kam ndjekur edhe vet në shtetin Gjerman. Unë tanimë e kam iniciuar krijimi i një shoqërie aksionare me më se një mijë biznese në Kosovë, përmes së cilës synojmë krijimin e një industrie ushqimore, e cila do të krijonte mundësinë për punësimin e 10-15 mijë vendeve të reja të punës në fushën e bujqësisë. Plani është fillimisht të nisim me industrinë e bujqësisë dhe më pas do të hapeshin mundësitë për industri të tjera. Plani im gjithashtu ndërlidhet edhe me arsimin. Qëllimi im është që të krijohen drejtime, të cilat mundësojnë hapjen e vendeve të shumta pune. Ka ardhur koha që Kosova t’u jap prioritet shkencave natyrore (teknologji, inxhinieri, matematikë, etj), meqenëse rinia jonë viteve të fundit ka pasur një orientim më të theksuar në shkencat sociale (juridik, ekonomi, etj) për të cilat tashmë vështirë të gjenden vende pune.

Duke krijuar kuadro të reja dhe adekuate për kërkesën e tregut, do të fuqizohet edhe sektori privat, dhe jo të gjithë të rinjtë do të kenë synim punësimin në sektorin publik. Por edhe në anën tjetër, sigurisht që duhet angazhim edhe në të drejtat e punëtorëve, duke u siguruar atyre kushte më të mira të punës.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)