Libri i autorit Sefer Tashollit “Lipjani me rrethinë” është një monografi për qytetin e Lipjanit, është një monografi për Lipjanin si komunë, pra për Lipjanin me rrethinë.
Autori Sefer Tasholli që për lipjanasit dhe më gjerë, është një emër i njohur së pari në fushën e shkrimit e të krijimit letrar e publicistik, por është një emër i njohur edhe në fushën e aktiviteteve politike për liri dhe çlirim të Atdheut.
Tasholli sot para lexuesve të shumtë po sjell një libër monumental në fushën e historiografisë, të llojit të monografisë, për një topos të caktuar me rrethinë. Them se libri ‘Lipjani me rrethinë’ është libër monumental për disa arsye: së pari ky libër për herë të parë ua sjell qytetin e Lipjanit me rrethinë në shumë dimensione, si nga fusha e historisë, arsimit, kulturës, politikes, gjendjes sociale, e angazhimit te te gjithë aktereve për liri dhe pavarësi të vendit, por edhe te zhvillimit te vendit pas çlirimit, si dhe të ndërtimit të infrastrukturës juridike, ekonomike, ligjore e arkivore.
Prandaj me plot kuptimin e fjalës mund të them se Lipjanit, por edhe më gjerë, i ka munguar një monografi e tillë, se i ka munguar lexuesit të tashëm që ta kenë ketë libër në shtëpitë e tyre, pasi që aty pasqyrohet jeta e shqiptareve në të gjitha sferat e saj.
Ky libër sot, por edhe në të ardhmen, pra për brezat që do të vijnë do të ketë një rendësi të madhe për historinë, për kulturën, për arsimin dhe për ekonomin tonë, pasi që në këtë libër do t’i gjejmë të gjitha interesimet tona.
Tasholli monografinë ‘Lipjani me rrethinë’ e ka konceptuar dhe e ka ndarë në pesë kapituj.
Shkurtimisht po paraqes se në kapitullin e parë bëhet fjalë për të dhënat e Komunës së Lipjanit, pozita gjeografike e Lipjanit, historiku i arsimit, duke filluar me mësuesit e parë të shkollës shqipe e mandej duke vazhduar për secilën shkollë veç e veç. Po në këtë kapitull flitet edhe për ekonominë dhe bizneset, ku na e jep një strukturë të përgjithshme të zhvillimit të ekonomisë me theks të veçantë të minierave, fabrikave, korporatave bujqësore dhe të bizneseve të ndryshme.
Kapitulli i dytë kryesisht ka të bëj me historinë e Lipjanit me rrethinë, vendosjen e parë të shqiptareve muhaxhirë të dëbuar nga sanxhaku i Nishit dhe krahina e Toplices prej forcave serbe nga viti 1878 e këndej. Mandej pushtimi i Lipjanit nga armiku ynë i përbetuar serb dhe masakrat që zhvilluan ata mbi popullatën shqiptare si në Bujan, Akllap, e në shumë vendbanime të tjera. Këtu nuk mbetet anash as qëndresa heroike e popullit tonë dhe e heronjve të shumtë siç janë: Sefer Kleçka. Kadri Beba, Nezir Buja, Hazir Selimi e shumë e shume të tjerë. Kështu autori brenda këtij kapitulli ecë nder vite duke pasqyruar jetën dhe vuajtjet e popullit tonë të robëruar deri te demonstrata e fuqishme të vitit 1968, 1981 dhe 1989, kur ndodh edhe suprimimi i autonomisë së Kosovës.
Kapitulli i tretë përfshinë periudhën kohore të viteve të nëntëdhjeta, rezistencën e popullit tonë kundër okupuesit më barbar që njeh historia, pra të okupimit nga Milloseviqi, formimin e partive politike shqiptare dhe ndërtimin e sistemit paralel të shtetësisë së Kosovës deri në zhvillimin e luftës së UÇK-së për çlirim. Po në këtë kapitull paraqet të gjithë dëshmorët e Komunës së Lipjanit të rënë për çlirimin e vendit.
Kapitulli i katërt përfshinë djegiet, granatimet, shkatërrimet dhe plaçkitjet nga forcat ushtarake serbe gjatë periudhës së luftës së fundit. Autori Tasholli në ketë kapitull me radhë i ka paraqit të gjitha fshatrat që janë shkatërruar dhe masakruar nga forcat serbe gjatë luftës.
Kurse te kapitulli i pestë dhe i fundit autori e paraqet periudhën kohore1999 deri më 2019. Këtu kemi të bëjmë me zhvillimet politike, ndërtimet në infrastrukturën si dhe rimëkëmbjen ekonomike e sociale të vendit, pra me theks të veçantë për komunën e Lipjanit. Në këtë kapitull Tasholli e prezanton për mrekulli pluralizmin dhe formimin e partive politike pas çlirimit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike në Lipjan deri te zgjedhjet e fundit, që për kryetar ka Imri Ahmetin.
Si përfundim mund të them se Sefer Tasholli para lexuesve sjell një qasje të re shkencore në fushën e historiografisë sonë, një qasje më ndryshe edhe në trajtimin e temës. Tasholli njëherit tregon edhe një kulturë të lartë intelektuale duke i paraqit para neve si lexues të gjitha burimet që i ka shfrytëzuar për ndërtimin e kësaj vepre madhore.
Autorit dhe mikut tonë Sefer Tashollit i urojmë suksese në vazhdimësi dhe prurje të reja në fushën e historisë dhe të publicistikës përgjithësisht.
COMMENTS