Marclei Cesar Chaves Santos ishte përforcimi më i bujshëm i skuadrës së promovuar në elitën e futbollit kosovar, Ulpianës, e cila po shijon rikthimin në Superligë pas më shumë se një dekade.
lpiana tek pas pesë xhirove në elitë i arkëtoi pikët e plota pas fitores 2-3 në udhëtim te Gjilani.
Ishte Marclei që i siguroi trepikëshin e parë të klubit lipjanas në Superligë, pasi kontribuoi me dy gola dhe një asistim.
Falë këtij kontributi, braziliani Marclei u shpërblye nga Federata e Futbollit të Kosovës me çmimin “Ylli i Javës” së pestë në kampionatin elitar të Kosovës.
Sulmuesi brazilian zhvilloi një intervistë për Demokracia.com në të cilën fillimisht tregoi për pritjen që i është bërë te “bardhekaltrit”.
“Jam 100 për qind i ambientuar te Ulpiana. Klubi më priti shumë mirë, si lojtarët, stafi teknik, presidenti dhe drejtorët”, deklaroi Marclei të mërkurën për Demokracia.com.
32-vjeçari i lindur në Alagoinhas të Brazilit është njëkohësisht golashënuesi më i mirë i skuadrës në këtë fillim kampionati me tre gola në pesë takime.
Qendërsulmuesi theksoi se e ka pritur këtë fillim të mbarë, ndërsa shtoi se objektiv për të është ta ndihmojë ekipin, teksa shprehet optimist për golat në vazhdimësi të kampionatit.
“Po e prisja këtë nismë. Po punojë shumë dhe seriozisht çdo ditë për të qenë në gjendje të shënojë gola dhe të ndihmojë ekipin tim, shpresoj që të shënojë sa më shumë gola në këtë kampionat të fortë dhe së bashku me shokët e mi të skuadrës të ndihmojmë klubin për synimet e mëdha”, tregoi tutje ai.
Marclei Cesar Chaves Santos foli edhe për synimet që ka Ulpiana në edicionin debutues.
Sipas tij, Ulpiana primare e ka qëndrimin në Superligën e Kosovës në futboll. Mirëpo rrugës ai thotë se objektivi pas arritjes së ekzistencës është edhe një vend në garat evropiane.
“Qëllimi i Ulpianës është të luajë një kampionat të sigurt dhe të përgjegjshëm, duke pasur parasysh se klubi tani është kthyer nga Liga e Parë. Ne duhet të ëndërrojmë më shumë. Kampionati është shumë i vështirë dhe mbetja në Superligë është synimi ynë. Objektivi i parë pas kësaj është se ne do të kërkojmë vendin për kualifikimet për garat evropiane”, përfundoi fjalën e tij braziliani.
Për Marclei Superliga e Kosovës nuk është ligë e panjohur, ngase ai edicionin e kaluar kishte mbrojtur ngjyrat e Arbërisë, rivalit lokal të Ulpianës. Gjithashtu ai ka luajtur edhe për Feronikelin.
Marclei do ta kërkojë golin e katërt menjëherë në ndeshjen e radhës kundër Dukagjinit të Klinës.
COMMENTS