E dëmtuara A.A ka thënë se i akuzuari B.B, i cili ka lidhje familjare me burrin e saj, e kishte ngacmuar përmes rrjeteve sociale për t’ia prishur martesën.
Këtë deklaratë A.A në cilësinë e dëshmitares e ka dhënë në seancën e shqyrtimit gjyqësor, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas saj, i akuzuari kishte hapur një llogari në rrjetin social “Facebook” me një emër të panjohur dhe kishte vendosur një foto të bashkëshortit të saj dhe një foto tjetër të një fëmije në moshë madhore. Ajo ka thënë se këto veprime i akuzuari i kishte bërë për të dëshmuar kinse bashkëshorti i saj është i martuar dhe ka fëmijë.
Tutje, ajo ka thënë se i akuzuari pastaj përmes asaj llogarie ka nisur t’iu dërgonte kërkesë familjarëve të saj dhe dikur i kishte dërguar kërkesë edhe asaj personalisht.
Ajo ka thënë se identifikimin e të akuzuarit si ngacmues e ka bërë përmes burrit të saj.
E dëmtuara tha se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë në polici, ku edhe një herë e ka rikujtuar atë deklaratë, duke thënë se nuk i kujtohet saktë a ka qenë viti 2018 apo 2019 kur i akuzuari fillimisht e kishte thirrur vëllain e saj L.A dhe i kishte thënë se bashkëshorti i saj që gjendet në botën e jashtme, ka një grua tjetër dhe një fëmijë.
Gjatë vazhdimit të dëshmisë së saj ajo ka thënë se nuk e ka pranuar asnjëherë asnjë kërkesë për shoqërim që i akuzuari ia ka dërguar, e se as nuk ka shkruar asnjëherë me personin në fjalë.
Ajo ka thënë se asnjëherë s’është takuar fizikisht me të akuzuarin për këtë çështje.
Fillimisht i akuzuari B.B dhe mbrojtësja e tij, Kaqusha Avdiu hoqën dorë nga leximi i aktakuzës, pasi të njëjtën thanë se kanë të qartë, e me ç’rast i akuzuari deklaroi se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.
Në fjalën hyrëse, prokurori Besnik Jakupi ka thënë se, mbetet pranë aktakuzës duke konsideruar se e njëjta është ngritur mbi dyshimin e mirë bazuar, ndërsa gjatë shqyrtimit gjyqësorë me administrimin e provave do të vërtetohet se i pandehuri B.B ka kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës.
Fjalën hyrëse të prokurorit Jakupi e ka mbështetur e dëmtuara A.A, e cila i është bashkëngjitur ndjekjes penale dhe kërkesës pasurore-juridike.
Në anën tjetër mbrojtësja e të akuzuari B.B, avokatja Avdiu, ka thënë se konsiderojnë se provat e dorëzuara në aktakuzë nuk janë konsumuar elementet e veprës penale ngacmim, andaj në këtë shqyrtim gjyqësor besojnë se do të vërtetohet kundërta e asaj që Prokuroria po pretendon ashtu që, i mbrojturi nga ajo do të shpallet i pafajshëm.
Prokurori Jakupi në këtë fazë të procedurës propozoi që, në cilësinë e dëshmitarit të ftohet L.A.Propozim ky që u kundërshtua nga mbrojtësja e të akuzuarit, mirëpo si i tillë u aprovua nga gjykatësi Avdirrahman Gashi.
Gjyqtari Gashi tutje tha se, shqyrtimi i sotëm gjyqësor ndërpritet për shkak të marrjes së provës me dëgjimin e dëshmitarit të lartpërmendur, ndërsa vazhdimi i tij u caktua më 8 tetor 2021, në ora 09:00, me thirrje do të ftohet dëshmitari L.A.
Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore më 19 mars 2021, i pandehuri B.B me dashje e ka ngacmuar A.A, tani e dëmtuara, me sjelljen e tij të vëmendjes së vazhdueshme në mënyrë që në muajin nëntor 2019, ka komunikuar me telefon me vëllain e të dëmtuarës L.A dhe prindin D.A, duke ju thënë se N.N, bashkëshorti i të dëmtuarës, i cili gjendet jashtë vendit ka një fëmijë jashtëmartesor me një shtetase të huaj.
Tutje sipas aktakuzës, me qëllim të ngacmimit më 10 janar 20121, e ka ngacmuar të dëmtuarën duke hapur një profil të rrejshëm në rrjetin “Facebook”, dhe e ka postuar fotografi të një djali “djali” dhe e ka postuar fotografinë N.N, me ç’rast tek e dëmtuara është shkaktuar ndjenja e shqetësimit të madh emocional.
Me këtë ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182, paragrafi 1, Kodit Penal i Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/
COMMENTS