Qeveria pezullon privatizimin pasi u shitën gati krejt tokat

Qeveria pezullon privatizimin pasi u shitën gati krejt tokat

Jep dorëheqje asambleisti i LDK-së së Lipjanit Arton Retkoceri

Tashmë kur kanë mbetur vetëm rreth 13 mijë hektarë tokë bujqësore pa u privatizuar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për pezullimin e privatizimit të tyre.

Me arsyetimin se do ta nxisë zhvillim ekonomik dhe do të sjellë investitorë, Agjencisë Kosovare të Privatizimit i është ndaluar që brenda një viti ti shesë këto toka, siç i ka shitur 29 mijë hektarë deri më tani.

Por, ky hap po vlerësohet i kundërligjshëm dhe shumë i vonuar nga njohës të fushës, sidomos kur janë shitur mbi 90 për qind e tokave mesatarisht nga 34 euro për ari.

Kështu tregojnë të dhënat që pati nxjerrë Raporti i Gjelbër për vitin 2015, të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, ku thuhet se shuma totale e inkasuar nga shitja e tokës ka arritur në rreth 99 milionë euro.

Berat Rukiqi, ka thënë se vendimi për ndaljen e privatizimit të tokave shtetërore mund të jetë i drejtë, por nuk bazohet në legjislacionin aktual.

“Tokat shoqërore janë nën menaxhim të AKP-së. AKP është nën menaxhim të Kuvendit dhe vetëm Kuvendi mund të merr vendime për fusheveprimtarinë e AKP-së”, ka shkruar Rukiqi.

Madje sipas tij edhe mund te ketë efekt negativ tek investitorët.

“Tendenca për të zbatuar vendime që tejkalojnë ligjet, janë mesazh negativ për Investitorët e huaj. Paqëndrueshmëria në vendimmarrje ndikon më shumë në opinionin e investitorit sesa çdo rangim në studimet e Bankës Botërore”.

Megjithatë, AKP ka vendosur të pezulloi përkohësisht për një afat njëvjeçar privatizimin e tokave në pronësi shoqërore siç i ka kërkuar zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj.

“AKP njofton opinionin publik se me të kuptuar lajmin se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit të mbajtur me datën 10 Nëntor 2017 ka marrë një vendim lidhur me ndalimin e privatizimit të tokave shoqërore për një periudhë një-vjeçare me qëllim të akomodimit të nevojave të institucioneve qendrore për promovimin e investimeve strategjike, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ka vendosur që të anuloj publikimin e Shitjes së Aseteve 38A”, thuhet në vendimin e AKP-së.

Kjo shitje ishte paraparë të publikohet me datë 11 Nëntor 2017.

Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit kanë thënë për Gazetën Fjala se në Kosovë që prej vitit 2002 e deri më tani janë privatizuar rreth 29 mijë hektarë tokë të kategorive të ndryshme.

E sipas përllogaritjeve që ka bërë Gazeta Fjala, kanë mbetur vetëm 13 mijë hektarë tokë bujqësore që nuk i janë nënshtruar këtij procesi duke marrë për bazë se fondi i tokave shoqërore është rreth 65 mijë hektar dhe duke përjashtuar nga llogaritja sipërfaqen prej 23 mijë hektarësh të tokave në pronësi të ndërmarrjes “Sharr Prodhimi”.

Veton Hajdini, zëdhënës i AKP-së tregon se këto toka janë privatizuar duke u bazuar në ligjin e AKP-së, ndërsa thotë se shfrytëzimi i këtyre tokave rregullohet me ligjet e organeve që janë përgjegjëse për monitorimin, shfrytëzimin dhe destinimin e tokave bujqësore, e jo me ligj të AKP-së.

E deputeti dhe ish-anëtari i Bordit të AKP-së, Naser Osmani ka thënë për Gazetën Fjala se është dashur që ky vendim të shkojë përmes Kuvendit, ose që të nisin procedurat për ndryshimin e Ligjit për AKP-në, pasi që sipas ligjit Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), e cila menaxhon me ndërmarrjet shoqërore, i përgjigjet Kuvendit.

Osmani vlerëson se me këtë vendim nuk është dashur të bllokohen të gjitha tokat bujqësore, por vetëm ato që janë prioritet për investime strategjike.

“Qeveria është dashur të tregoj se cilat janë prioritetet e saj lidhur me investimet strategjike. A janë për shembull këto prioritete në miniera, bujqësi apo fusha tjera. Nuk mendoj se është dashur të bllokohen me një vendim të gjitha tokat bujqësore. Po ti kishte prioritetet të qarta qeveria do ta kishte më lehtë një gjë të tillë”, ka thënë Osmani për Gazetën Fjala.

Për Osmanin, investim strategjik do të ishte Brezovica. Ndërsa thotë se Qeveria duhet të tregojë se ku janë ato zona me interes për investime, pasi që shumë nga këto toka janë në zona të thella dhe investitorët nuk kanë interes të investojnë në zona të tilla.

“Qeveria duhet me tregu se çka janë investime strategjike për të. Shembull ti mund ti ndalesh privatizimin e të gjitha tokave bujqësore me një vendim, por shumë nga këto toka janë në zona të thella siç është Dragashi, dhe interesi i investitorëve nuk do të ishte ndoshta për të investuar atje. Mendoj se ky vendim i Qeverisë për pezullimin e privatizimit të tokave bujqësore duhet të përcillet më shumë vendime tjera”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë, shuma e mjeteve të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë ka arritur mbi 660 milionë euro, prej të cilave 104 milionë euro u janë transferuar punëtorëve të ndërmarrjeve publike. Kurse, gjendja bankare e Fondit të mirëbesimit është rreth 490 milionë euro.

Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, fondi i grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, parasheh t’i kompensojë kredituesit potencialë të ndërmarrjeve të shitura.

Deri më tani, mbi 90 milionë euro ka transferuar Agjencia Kosovare e Privatizimit në Buxhetin e Kosovës, nga Fondet e mirëbesimit të likuidimit të 190 ndërmarrjeve shoqërore.

Për bartjen e këtij fondi, agjencia obligohet në bazë të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në Ligjin për AKP-në thuhet se agjencia përcakton dhe deklaron si “Fonde Tepricë” deri në shtatëdhjetë e pesë për qind (75%) të çdo të ardhure që e tejkalon maksimumin e vlerës së përllogaritur, të grumbulluar, të pretendimeve përkatëse të kreditorit dhe interesave të pohuara të pronësisë, dhe menjëherë i transferon ato Fonde Tepricë, si “para publike”, të cilat mund të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik të vendit, me aprovim të Kuvendit të Kosovës.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)