Banorët e Shalës mbledhin rreth 20 mijë euro për ngritjen e shkronjave UÇK

Banorët e Shalës mbledhin rreth 20 mijë euro për ngritjen e shkronjave UÇK

“Presioni i Serbisë ndaj shteteve që kanë njohur Kosovën dëmton dialogun”

Banorët e fshatit Shalë të Komunës së Lipjanit me përkrahjen e bashkatdhetarëve që jetojnë në shtete të ndryshme perëndimore për pak ditë kanë arritur të mbledhin rreth 20 mijë euro, për ngritjen e tri shkronjave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në pjesën e epërme të fshatit, në pjesën malore.

Sipas banorëve, projekti do të merret si model i ngjashëm i cili është realizuar në disa komuna të tjera. Projekti është përkrahur edhe nga këshilli i fshatit që ka kërkuar nga institucionet komunale mbështetje për rregullimin e dokumentacionit dhe infrastrukturës që çon deri tek lokacioni i caktuar.

Iniciatorët e këtij projekti kanë thënë se lufta e UÇK-së nuk duhet harruar asnjëherë.

“Me këtë projekt do ta kujtojmë kontributin dhe lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, andaj këto shkronja të UÇK-së do të kujtohen gjithmonë edhe nga gjeneratat e ardhshme. Fshati Shalë ka dhënë dëshmorë e martirë në luftën e fundit dhe gjithçka që kishin me të vetmin qëllim që ne ta kemi lirinë. Andaj lokaliteti ynë e meriton të ketë një simbol të artë të luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Besnik Drenica, që vepron në Gjermani.

Lumni Shamolli, banor i Shalës, ka thënë se synojnë që projektin ta realizojnë duke respektuar procedurat ligjore duke kërkuar mbështetjen e komunës për rregullimin e dokumentacionit.

“Ky projekt do jetë i përhershëm dhe i dokumentuar, andaj do ta realizojmë sipas procedurave ligjore ashtu siç duhet. Kërkojmë edhe nga organizata e veteranëve të luftës dhe këshillin e fshatit të shqyrtojnë idenë e projektit tonë dhe të japin idetë e tyre”, ka thënë Shamolli.

Burim Shamolli, nënkryetar i fshatit Shalë, ka thënë se deri më tash janë mbledhur rreth 20 mijë euro nga bashkatdhetarët dhe banorët e fshatit për ta realizuar këtë projekt.

“Ne kemi mbajtur mbledhjet si këshill i fshatit dhe kemi debatuar në veçanti për këtë projekt, andaj mjetet e konfirmuara rreth 20 mijë euro tashmë kanë nisur organizatorët të i mbledhin dhe po besojmë që komuna do të na përkrahë për rregullimin e dokumentacionit dhe rregullimin e infrastrukturës që çon deri tek vendi i simbolit të UÇK-së”, ka shtënë Shamolli.

Në anën tjetër nënkryetari i Komunës së Lipjanit Diamant Bytyqi, ka thënë për KOHËN se komuna e ka parë iniciativën e banorëve të fshatit Shalë duke premtuar se do ta mbështesë financiarisht, por edhe në rregullimin e dokumentacionit deri në finalizim të projektit.

“Ne si Komunë e kemi parë këtë iniciativë të banorëve, andaj do ta mbështesim financiarisht, por edhe për caktimin e lokacionit sipas ligjeve në fuqi. Si komunë tashmë e kemi dëshmuar se në Shalë sikur edhe në fshatrat tjera kemi realizuar edhe projekte të tjera me qëllim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve, prandaj edhe këtë projekt të bashkatdhetarëve dhe banorëve të Shalës do ta mbështesim sipas mundësive tona”, ka thënë Bytyqi.

Koha.net

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)