1 milion e 353 mijë e 613 persona kanë të drejt vote në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Të gjithë këta mund të votojnë në 19 komuna që nga ora 7:00 e mëngjesit deri në ora 19:00 të mbrëmjes në 614 qendra të votimit, me gjithsej 1 mijë e 777 vendvotime.
38 kandidatë do t’i hyjnë garës së nesërme për të fituar primatin e të parit nëpër komunat e tyre, ndërsa në komunën e Perteshit do të bëhet rivotimi për kryetar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon se tanimë ka bërë të gjitha përgatitjet për balotazhin që do të zhvillohet këtë të dielën.
Sikurse edhe në proceset e kaluara zgjedhore, votimet do të vëzhgohen dhe monitorohen nga vëzhguesit e subjekteve politike, mediat, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Europian si dhe ambasadat e akredituara në vend.
Numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar sipas KQZ-së do të jetë më shumë se 12 mijë, njofton Klan Kosova.
Në ndërkohë, për mbarëvajtjen e këtij procesi sa i përket aspektit të sigurisë është angazhuar Policia e Kosovës, kurse për luftimin e parregullsive dhe manipulimeve, janë angazhuar edhe shumë prokurorë.
Këto janë zgjedhjet e shtata lokale që nga paslufta në Kosovë, ndërsa raundi i parë i zgjedhjeve është mbajtur me 22 tetor.
COMMENTS