Për shkak të bllokadës së institucioneve miliona euro të cilat burojnë nga marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbetur të bllokuara.
E mos ratifikimi i këtyre marrëveshjeve, sipas Odës së Afarizmit kanë edhe pasoja ekonomike.
Bëhet fjalë për marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ende nuk janë ratifikuar në Kuvend për shkak të bllokadës së krijuar prej më shumë se një viti.
Në mesin e tyre janë edhe fondet e Komisionit Evropian të destinuara për infrastrukturë dhe bizneset në Ballkanin Perëndimor, fonde të cilat javë më parë i morën shumica e vendeve të rajonit, por jo edhe Kosova.
E për këtë nga Komisioni Evropian, po presin që këto marrëveshje të ratifikohen sa më shpejtë.
“Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të marrë pagesën, pasi ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet e Huasë dhe Lehtësimit. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë ende nga fondet e RGF-së. Shpresojmë që kjo të zgjidhet së shpejti. Komisioni synon të të lëshojë shumën e mbetur prej 205 milionë eurosh në fillim të këtij viti. Kjo do të lejojë rifillimin e kontraktimit të mbetur të IPA 2021 (rreth 17 milionë euro), të IPA 2022 (55.7 milionë euro) dhe kontraktimin e projekteve të WBIF (132 milionë euro) pas një marrëveshjeje mbi prioritetet e programimit për fondet e mbetura”.
E mos ratifikimi i këtyre marrëveshjeve sipas Odës së Afarizmit ka dëme të shumta ekonomike.
“Nëse sheh tani gjendja e infrastrukturës është llom, me gropa pa asnjë investim, ke telashe të shumta, në anën tjetër ke biznesin që nga kjo kish mundur të përfitojë edhe në aspektin financiar por edhe në aspektin e përvojave të ndryshme që mund të sjellin përmes ekspertëve të ndryshëm”, tha Kushtrim Ahmeti nga Oda e Afarizmit.
Në mesin e shteteve që përfituan nga fondet e Komisionit Evropian për nxitje e zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së sektorit privat janë, Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Maqedonia e Mali i Zi.


COMMENTS