Ish-kryetari i KQZ-së , Mazllum Baraliu në një bisedë për Gazeta Blic ka komentuar zgjedhjet lokale në Komunën e Prishtinës.
Ai ka folur për rinumërim të mundshëm të votave, apo shkuarjen në rivotim.
Baraliu i tha Gazetës Blic se ekziston ligj për zgjedhje që tregon saktësisht kur duhet të shkohet në rivotim.
”Ekziston ligji për zgjedhje të përgjithshme, për zgjedhje lokale që i bën rregullat në KQZ dhe dihet kur bëhet rivotimi, vetëm atëherë kur procesi zgjedhor në një komunë, në këtë rast në Prishtinë dëmtohet në përqindje të patolerueshme, pra dëmtohet esencialisht procesi, janë do gabime, abuzime, lëshime të asaj natyre që e dëmtojnë procesin në substancë, vetëm atëherë duhet të vendos KQZ”, pohoi ai.
Sipas Baraliut, duhet të numëruar me kujdes të gjitha votat që kanë mbetur nga diaspora, me kusht, nga personat me nevoja të veçanta, dhe vetëm atëherë mund të urohet fituesi i vërtetë.
”Është e paimagjinueshme kjo klimë e krijuar nga disa subjekte për të fituar në këtë gjendje ekuilibruese të rezultatit, pra nuk ka kuptim kështu dhe nuk është në rregull kështu, por ajo që duhet bërë dhe që është e paraparë edhe me ligj dhe me kodin etik duhet numëruar me kujdesin më të madh çdo votë, me kusht, nga diaspora, nga personat me nevoja të veçanta , prandaj cilido që del fitues t’i urohet fitorja”, shtoi ai.
Ish-kryetari i KQZ-së tha se të dy partitë politike, Vetëvendosje dhe LDK duhet të jenë të vëmendshme dhe të mos pretendojnë fitore të pa merituar.
”Të dy palët duhet të jenë të vëmendshme, pra dy subjektet politike duhet të jenë të durueshme të numërohet çdo votë, ka mbikëqyrje nga të gjithë ata që janë vëzhgues edhe të subjekteve edhe të pavarur, se ai që fiton, fiton, por jo në këtë mënyrë çoftë nga njëra palë çoftë nga tjetra të pretendohet që me çdo kush të arrihet fitorja e pa merituar”, tha ai.
Ndërsa, duke komentuar ndryshimin e mundshëm të rezultatit në garën për kryeqytetin, ai shtoi se një gjë e tillë është e mundshme duke pasur parasysh se ka rreth 2000 vota të pa numëruara.
”Po mundet të ndryshojë rezultati sepse janë diku 1800-2000 vota dhe mund të ndryshojë sepse rezultati, varet si kanë votuar njerëzit, mirëpo do të duhej që vota është e shenjtë që asnjëra palë të mos bëjnë gjimnastika politike të pandershme për të arritur me çdo kusht fitoren e pandershme”, tha ai.
Baraliu shtoi se fitorja do t’i urohet atij kandidati që pas numërimit të këtyre votave del i pari.
”Ai që e arrin kur të numërohen të gjitha këto vota, atij i çoftë urime fitorja, por kërkesat për rinumërim dhe rivotim dhe rishikim të votave të pavlefshme janë absurde.”, përfundoi ai./GazetaBlic
COMMENTS