Para se ta derdhni Sauvignon Blanc në lavaman ose tualet, ju informojmë se ky artikull nuk ka të bëjë me dehjen e vërtetë ose me konsumimin e alkoolit në përgjithësi.
Hulumtimet e reja sugjerojnë se mungesa e gjumit mund ta ngadalësojë shpejtësinë e komunikimit dhe ta parandalojë ruajtjen e informacionit. Studiuesit zbulojnë se lodhja mund të ketë efekt të njëjtë në tru si konsumimi i alkoolit, transmeton koha.net.
Hulumtuesit i ekzaminuan pak para operacionit trurët e 12 pacientëve që vuanin nga epilepsia. Mungesa e gjumit mund të çojë në sulme epileptike. Kjo është arsyeja se pse pacientët, gjatë hulumtimit, duhej të qëndronin zgjuar gjithë natën. Kjo u ka mundësuar studiuesve që ta studiojnë ndikimin e mungesës së gjumit në funksionimin kognitiv të pacientit.
Gjatë natës, hulumtuesit vendosën elektroda në pjesëmarrësit dhe u kërkuan atyre që ta kategorizonin një sërë fotosh sa më shpejt që të ishte e mundur. Elektrodat e matën aktivitetin e qelizave të trurit, veçanërisht lobit temporal i cili është i lidhur me epilepsinë. Ata zbuluan se tek pacientët që filloi t’u vinte gjumi aktiviteti i trurit filloi të binte.
Ndryshe nga reagimet e zakonshme të shpejta, neuronet në fazën e lodhjes reaguan ngadalë dhe transmetimi i informacionit zgjati më shumë se zakonisht.
Mungesa e gjumit ua ka pamundësuar pacientëve që t’i transmetojnë me shpejtësi stimujt vizualë në mendime, gjë që mund të rezultojë në probleme serioze për shoferët e lodhur dhe shoferët nën ndikimin e alkoolit. Shoferi i lodhur mund t’i perceptojë këmbësorët, por truri i tij do të reagojë me vonesë. Ajo që është shqetësuese është se nuk ekziston asnjë test i cili mund ta identifikojë shoferin e lodhur, siç është rasti me shoferin që është nën ndikimin e alkoolit dhe alkotestit.
Mos harroni se gjumi, për një jetë cilësore dhe të shëndetshme, është po aq i rëndësishëm sa edhe aktiviteti i përditshëm fizik dhe ushqimi i shëndetshëm, prandaj sigurojani organizmit tuaj një shkuarje më të hershme në shtrat dhe gjumë nga 7 deri në 8 orë në ditë.
© KOHA
COMMENTS