Dështon seanca e “Medicus”, ja çfarë kishte thënë eksperti i forenzikës

Dështon seanca e “Medicus”, ja çfarë kishte thënë eksperti i forenzikës

Haradinaj: Prodhimi i brendshëm i energjisë, arritje e madhe për Kosovën

Ka dështuar seanca gjyqësore e së enjtes për rastin “Medicus”, në të cilën ishte paraparë të dëgjohej dëshmitari, eksperti i forenzikës, Milazim Tahirukaj. Dështimi i kësaj seance erdhi si pasojë e mosnjoftimit të Qendrës së Paraburgimit ku mbahet i dënuari Lutfi Dervishi dhe për shkak të kësaj ai nuk u soll në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Gazeta Express tregon se çfarë shkruan në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e EULEX për medikamentet që janë konfiskuar nga hetuesit policorë atëkohë në klinikën famëkeqe “Medicus” dhe sjell dëshminë e këtij dëshmitari nga viti 2013 lidhur me provat materiale që u gjetën ne këtë klinikë atëkohë. Gjithashtu, pjesë e këtij raporti janë edhe të thënat sot në gjykatë.

Hetuesit e Policisë së Kosovës kishin bastisur klinikën “Medicus” më 7 nëntor të vitit 2008. Gjatë bastisjes së objektit i cili gjendej në Fushë Kosovë, kanë konfiskuar një sasi e madhe e shënimeve mjekësore dhe dokumente të biznesit, dosjet e kompjuterit të mjekëve dhe barnat. Kështu thotë aktakuza e ngritur nga Prokuroria e EULEX lidhur me këtë krim, i cili po cilësohet si “trafikim i qenieve njerëzore”. Rasti, që nga dita e parë kur u zbulua se në këtë klinikë po bëheshin transplantime ilegale të veshkave, mori vëmendje ndërkombëtare, pasi që të përfshirë në të janë edhe shumë mjekë të huaj. Njëri prej tyre, më i përfoluri, është Yusuf Sonmez, urologu turk, i cili ndryshe njihet edhe si “Dr. Vampiri”.

Në seancën e së enjtes kishte për të dhënë dëshminë e tij eksperti i forenzikës Milazim Tahirukaj. Ky dëshmitar ishte i pranishëm në gjykatë bashkë me rishikuesen teknike të tij. Të pranishëm gjithashtu ishin edhe avokati i Lutfi Dervishit, Valon Hasani, si dhe i akuzuari tjetër Sokol Hajdini bashkë me avokatin e tij.

I vetmi që mungoi ishte i dënuari me 8 vjet burg, për trafikim të qenieve njerëzore, Lutfi Dervishi. Ai nuk u soll në seancë, pasi Qendra e Paraburgimit ku mbahet Dervishi nuk e ka marrë urdhrin nga Gjykata që i pandehuri të sillet në seancë.

Nga Agjencia e Forenzikës, atëkohë ekspert i forenzikës, kurse sot në pozitën e shefit të divizionit dhe laboratorit për eksplozivë, Milazim Tahirukaj tha se erdhi në seancë të dëshmojë për raportet të cilat i ka përfunduar në të kaluarën për këtë rast.

Prokurorja e EULEX Valeria Bolici tha se do t’i kërkojë dëshmitarit Tahirukaj që ta përgatisë një raport dhe më vonë, gjatë një ditë tjetër, Gjykata ta thërrasë atë dhe ta prezantojë atë që e ka shkruar në raport, shkruan Gazeta Express.

“Unë deri në vitin 2014 kam qenë ekspert për dokumente dhe shkrime, tash jam brenda Agjencisë së Forenzikës por në pozitën e Shefit të divizionit dhe laboratorit për eksplozive…”, tha Tahirukaj, duke sqaruar se raportet i kishte shkruar në të kaluarën.

“Nëse dëshironi raport shtesë me dëshmi shtesë, mund t’i drejtoheni ekspertëve që janë sot në atë fushë në kuadër të agjencisë”, tha sot Tahirukaj.

Më 2013 eksperti Tahirukaj para gjykatës ka treguar të gjeturat e tij në mostrat e reja që kishte pranuar dhe në mostrat e mëparshme. Këto mostra kishin të bënin me kërkesa dhe me garanci.

Nga ato që kishte urdhëruar gjykata, eksperti tregoi se në mostrat e pranuara kishte ardhur në përfundim që ato ishin të nënshkruara nga Lutfi Dervishi dhe djali i tij Arban Dervishi, i cili ende nuk është kapur nga autoritetet.

Ai pati treguar se kërkesa e bërë për licencim në bordin e licencimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, që mban datën 20 qershor 2015, ishte nënshkrimi i Lutfi Dervishit, ndërsa garancitë shkruheshin nga klinika, në emër të personave që vinin në klinikë për transplantim të veshkave.

Në aktakuzën e Prokurorisë së EULEX, në veçanti shkruhet për dëshmitë e ekspertëve, ku flitet edhe për konfiskimet e bëra atëkohë në klinikën famëkeqe “Medicus”.

“Dr. Marek Gasior (ICMP) – hetimet lidhur me barnat e konfiskuara në klinikën “Medicus”. Gjetjet preliminare përfshijnë opinionin e ekspertit se barnat që janë konfiskuar në “Medicus” janë përdorur në vend të parë për parandalimin e refuzimit të organit të transplantuar. Bisobeta Comp. Myofortie dhe Xipamid që janë gjetur në klinikën “Medicus” zakonisht përdoren për parandalimin e refuzimit të indit të transplantuar”.

Ilaçi i gjetur dhe i konfiskuar në këtë klinikë “Bisobeta Comp. Myofortie” është bari i cili përdoret te pacientët që kanë kryer transplant të organit. Konkretisht “Myofortie” përdoret për ta parandaluar refuzimin e marrjes së organit të ri.

“Bisoprololi është kardioprotektues, sepse në mënyrë selektive dhe konkurruese bllokon stimulimin e catecholamine (adrenalin) të receptorëve β1 adrenergic (adrenoreceptorë), të cilat gjenden kryesisht në qelizat e muskujve të zemrës dhe në indet e përçimit të zemrës (cardiospecific), por gjenden edhe në qelizat juxtaglomerular në veshka”.

“Myfortic (acid mickofenik) është një imunosupresant. Trupi juaj mund të “refuzojë” një transplant organesh kur sistemi imunitar e trajton organin e ri si një pushtues. Një imunosupresant ndihmon në parandalimin e këtij refuzimi”. Ky është shpjegimi i gjetur për këtë medikament.

“Myfortic” përdoret për të parandaluar që trupi juaj të refuzojë një transplantim të veshkave. Ky medikament zakonisht jepet me ciklosporinë dhe një ilaç për steroide.

Ndërsa, ilaçi tjetër i konfiskuar në klinikën “Medicus” është “Xipamid” i cili përdoret tek pacientët që kanë probleme në veshka, duke e reduktuar reabsorbimin e çrregulluar të distaluar.

“Ashtu si diuretikët e thiazidit të lidhur në mënyrë strukturore, xipamide vepron në veshkat për të reduktuar reabsorbimin e natriumit në tubulën e çrregulluar të distaluar. Kjo rrit osmolaritetin në lumen, duke shkaktuar më pak ujë të riabsorbuar nga kanalet e grumbullimit. Kjo çon në rritjen e prodhimit urinar. Ndryshe nga tiazidet, xipamid arrin objektivin e saj nga anët peritubular (enën e gjakut)”.

Gazeta Express vazhdimisht po përcjell seancat gjyqësore që kur Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë dy vendime, ato të shkallës së parë dhe të dytë për rastin “Medicus”, pas çka ky rast shkoi në rigjykim.

Seanca e ardhshme për këtë rast është caktuar për më 29 nëntor të këtij viti dhe në të do të japë dëshminë e tij anesteziologu që ka punuar në “Medicus”, Islam Bytyqi.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi, i cili ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet heqje lirie. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)