Në Solothurn, një kosovar kishte ndihmuar rreth 20 persona për ta kaluar provimin teorik. Këtë e kishte bërë duke pajisur kandidatët me mikro kufje dhe minikamera.
Zyra e Cyrihut për trafikun rrugor (Strassenverkehrsamt) nga shkurti i këtij viti ka vendosur detektorë në sallat ku mbahen provimet teorike të autoshkollës. Detektori identifikon telefonët mobilë dhe në këtë mënyrë i zbulon mashtruesit e mundshëm, shkruan sda.ch.
Udhëheqësit e kësaj zyre kanë marrë vendimin për të instaluar detektorin në fjalë pas rastit që është publikuar në shtator të këtij viti në Solothurn (i cili ka ndodhur më herët), transmeton albinfo.ch. Atje, një kosovar i moshës 41 vjeçare u kishte ndihmuar rreth 20 personave për ta kaluar provimin teorik. Këtë e kishte bërë duke pajisur kandidatët me mikro kufje dhe minikamera. Përmes tyre ai ua ka përcjellë atyre përgjigjet e sakta për pyetjet e testit.
Zyra e Cyrihut ka pasur qysh më herët njohuri rreth këtij rasti dhe ka ndërmarrë masat përkatëse, thuhet në përgjigjen që ekzekutivi i Cyrihut i ka dhënë një pyetjeje të shtruar në Parlamentin e Kantonit.
“Edhe në Kantonin e Cyrihut në të kaluarën ka pasur informacione për përdorimin e mjeteve elektronike në raste të veçuara gjatë dhënies së provimit. Nga viti 2016 ,zyra ka zbuluar dy raste të tilla, transmeton albinfo.ch. Si rezultat është menduar nëse në sallë duhet të vendoset një pengues valësh por nuk e kemi bërë këtë për shkaqe juridike”.
Ndërsa, nga 1 shkurti 2017 Zyra e Kantonit të Cyrihut për trafikun rrugor ka vendsour, e para në Zvicër një detektor përkatës për telefonët mobilë, WiFi dhe Bluetuth”. Me fillimin e provimit, kandidiatët informohen për ekzistimin në sallë të kësaj aparature të quajtur “Sweeper”. Prej atëherë nuk është konstatuar asnjë përpjekje për mashtrim elektronik që domethënë se njoftimi për këtë është përhapur dhe sigurisht ka pasur efekt parandalues, përcjell albinfo.ch. Po ashtu me rastin e provimeve, kandidatët kontrollohen më hollësisht, sidomos pjesët e veshmbathjes që bien më shumë në sy dhe syzet. Edhe sjellja e kandidatëve gjatë provimit vëzhgohet, kur bien në sy veprime jo të zakonshme.
COMMENTS