Gjermani: Sërish koalicion qeverisës me bazë të gjerë?

Gjermani: Sërish koalicion qeverisës me bazë të gjerë?

Zjarri përfshinë fshatin Qallapek të Lipjanit

Katër vjet me radhë CDU/CSU dhe SPD qeverisën në qetësi. Por një kapitull i ri i këtij koalicioni nuk është i vetëkuptueshëm. Rindërgjegjësimi i SPD-së për temat sociale mund t’i vështirësojë kompromiset.

Takimi tashmë është përcaktuar. Të enjten në mbrëmje (30.11) në orën 20:00 kancelarja dhe kryetarja e CDSU-së Angela Merkel, kryetari i CSU-së Horst Seehofer dhe kryetari i SPD-së Martin Schulz do të takohen për konsultime në presidencë, në kështjellën Bellevue në Berlin, me presidentin Frank-Walter Steinmeier. Presidenti nuk i konsideron si zgjidhje zgjedhjet e reja dhe pas dështimit të bisedimeve për koalicionin tri-partiak, insiston që për të mirën e vendit unioni konservator dhe SPD-ja të bien dakord për krijimin e qeverisë së re. Ky do të ishte një koalicion i dytë me bazë të gjerë si pasues i atij të mëparshmit dhe i treti i këtij lloji qysh nga viti 2005.

Parimisht konservatorët dhe socialdemokratët në të kaluarën kanë bashkëpunuar mirë – sidoqoftë më mirë, nga sa mund të pritej. Për SPD megjithatë koalicioni i gjerë nuk ia ka vlejtur. Me vetëm 20,5 përqind të votave në zgjedhjet parlamentare në shtator kjo parti arriti rezultatin më të dobët elektoral në historinë e republikës federale. Kryetari i SPD-së Schulz si rrjedhojë e humbjes qysh në mbrëmjen pas votimeve deklaroi daljen në opozitë.

Lista e kërkesave është e gjatë

Në mënyrë të përsëritur dhe me këmbëngulje anëtarët e partisë socialdemokrate në javët pas zgjedhjeve parlamentare kanë theksuar, se e përjashtojnë vazhdimin e koalicionit me bazë të gjerë edhe pasi dështuan përpjekjet për krijimin e një koalicioni mes kristiandemokratëve/kristiansocialëve, liberalëve dhe ekologjistëve. “Ne nuk jemi në dispozicion”, jehonte njëzëri nga radhët e socialdemokratëve. Partia do të forcojë profilin e saj dhe të fokusohet sërish më fort tek temat sociale. Por barrikadimi po shkërmoqet. Qendrimi i prerë javëve të shkuara mund t’i ndihmojë socialdemokratët. Për një kapitull të ri koaliconi me CDU/CSU-në ata mund ta rrisin mjaft çmimin. Veçanërisht sa i përket politikës sociale SPD-ja do të negociojë fort dhe vetëm me kushte mund të jetë e gatshme për kompromise.

Kreu socialdemokrat, Martin Schulz tek presidenti Steinmeier për bisedime pas dështimit të bisedimeve për koalicion mes katër partive, CDU/CSU, FDP, Të Gjelbrit
Krahu i majtë i partisë ka përpiluar një liste të detajuar me kërkesa të shumta. Në këtë listë është përfshirë gjithçka që SPD-ja e konsideron si “kërkesë thelbësore”: paratë për familjen, rritja e tatimit për trashëgiminë, pagë e barabartë për gratë e burrat, heqja e kontratave me kufizim kohor të paargumentuar të punës, shfuqizimi i ndalimit të bashkëpunimit mes landeve dhe federatës për politikën e arsimit, rikthimi i së drejtës për konvertimin e kontratës nga puna me kohë të kufizuar në kohë të plotë dhe më shumë vullnet për integrimin e refugjatëve.

Konflikte janë të paraprogramuara

SPD-ja do të mbajë Ministrinë e Jashtme, post ky ku ndihet mirë ish-kryetari i partisë Sigmar Gabriel, si dhe Ministrinë e Financave. Arkat e shtetit janë të mbushura e kjo në sfondin e koniunkturës në hov nuk duhet të ndryshojë. Këto janë perspektiva joshëse për ministrin e ardhshëm të Financave, aq më tepër që zbatimi i kërkesave të përpiluara nga socialdemokratët është i kushtueshëm.

Për unionin konservator këto kërkesa janë një pengesë e vështirë në bisedimet e mundshme për koalicion. Ndonëse Merkel dhe Seehofer pas sukseseve elektorale të partisë së ekstremit të djathtë AfD, patën deklaruar, që duan të përmirësojnë sigurinë sociale të qytetarëve. Por konservatorët nuk duan të shkojnë aq larg sa socialdemokratët. Veçanërisht e fortë do të jetë rezistenca sa i përket politikës së shëndetësisë dhe pensioneve. SPD-ja prej vitesh kërkon, bashkimin e sigurimit ligjor dhe atij privat shëndetësor në një sistem të sigurimit të qytetarëve. Ky sistem duhet financuar nga punëmarrësit dhe punëdhënësit. Me këtë sistem të ri socialdemokratët synojnë të shmangin “mjekësinë e dy klasave” në Gjermani. Deri tani unioni konservator e ka kundërshtuar me këmbëngulje shfuqizimin e sistemit të sigurimit privat shëndetësor, që është një opcion i hapur për punonjësit me të ardhura të larta, sipërmarrësit privat dhe nëpunësit shtetërorë.

Por ka edhe pikëtakime

Mirëkuptim të gjerë ka midis dy partive të mëdha popullore lidhur me politikën e Europës dhe asaj të jashtme. Edhe pse ka disa dallime në pozicionim sa u përket përfytyrimeve për politikën financiare në BE të presidentit të Francës Emmanuel Macron: CDU/CSU dhe SPD i kanë të afërta qendrimet lidhur me misionet jashtë vendit të ushtrisë gjermane si dhe politikën ndaj Europës. Si kryetari i socialdemokratëve Schulz edhe ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel kanë lidhje të ngushta me Macron. Po ashtu pengesat lidhur me migracionin dhe refugjatët mes CDU/CSU-së dhe SPD-së janë të kapërcyeshme./DW

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)