4 deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje” do të kenë përballë trupin e njëjtë gjykues në seancën e 1 dhjetorit.
Kjo pasi kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi, ka refuzuar kërkesën e tyre për përjashtimin e trupit gjykues nga ky rast.
“Kryetarja e Gjykatës ka konstatuar se në këtë çështje penale, deri më tani nuk janë prezantuar rrethana që mbështesin përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues të parapara me nenin 39 të KPPRK-së. Nëse eventualisht paraqiten rrethana të reja që e arsyetojnë përjashtimin e gjyqtarit, Gjykata do të veprojë konform këtij Kodi, me qëllim të shmangies së çdo situate që do ta vinte në pikëpyetje integritetin, paanshmërinë apo pavarësinë e gjyqtarit, për rritjen e besimit te qytetarët në interes të përgjithshëm se gjykatat janë objektive dhe të paanshme në gjykimin e çështjeve gjyqësore.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Kërkesën e ka vlerësuar si të ngutshme edhe Haxhi Millaku, avokati i deputetit Faton Topalli, por që nuk e përjashton mundësinë që një kërkesë e tillë të bëhet në një fazë të mëvonshme.
Lëvizja “Vetëvendosje” e ka konsideruar si politik trupin gjykues në këtë rast, shkaku se ishte i njëjti trup gjykues në rastin e aktivistëve të akuzuar e të dënuar për terrorizëm nga shkalla e parë. Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi u arrestuan të hënën pasi nuk respektuan masën e arrestit shtëpiak, të caktuar nga Gjykata e Apelit më 25 tetor, raporton KTV
Përveç Kurtit, Kadaj-Bujupit e Topallit, për veprat penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar, e akuzuar është edhe deputetja Albulena Haxhiu.
COMMENTS