LDK: Haradinaj ka dështuar, është izoluar nga ndërkombëtarët, s’e votojmë Buxhetin

LDK: Haradinaj ka dështuar, është izoluar nga ndërkombëtarët, s’e votojmë Buxhetin

Selatin Retkoceri shpalosë programin para simpatizantëve në Poturovc

Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar akuza të rënda në drejtim të Qeverisë ‘Haradinaj’. Ky subjekt politik po thotë se qeveria aktuale u bë pas shumë negociatave me sekser. Në një reagim për media, LDK e kritikon Kryeministrin edhe për numrin e madh të zëvendësministrave. Derisa akuza edhe më të rënda ka pasur për buxhetin i cili nuk u votua ditë më parë në Kuvend.

“Pas negociatave me Radojiçiqa e sekserë të tjerë nga të gjitha anët e Kosovës, Qeveria Haradinaj u konstituua vetëm pasi priti disa orë që t’i vijnë nga Beogradi partnerët e saj dhe që nga ajo ditë, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar qeverisjen më jolegjitime, më të dobët dhe më arbitrare, e cila ka degraduar skajshëm çdo pore të jetës institucionale e politike në vend. Që nga 9 shtatori, Kosova ka Qeverinë me më së shumti zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Ata madje edhe ironizojnë. Thonë se Qeveria e Kosovës sot i ka në realitet 4 “kryeministra” të cilët i udhëheqin ministrat e partive të ndryshme.

Sipas partisë së Mustafës, Qeveria Haradinaj drejtohet me logjikën e odave, me sjellje kanunore, duke harruar se në këtë shtet ka Kushtetutë dhe ligj.

“Qeveria po e shpërdoron buxhetin e shtetit duke shpërndarë arbitrarisht parat e taksapaguesve, duke falur në mënyrë joligjore borxhe për klientele dhe po ndërhyn me vendime në autoritetin e institucioneve të pavarura me Kushtetutë. Qeveria aktuale po e dëmton pariparueshëm politikën e jashtme, duke tkurrur subjektivitetin dhe duke dështuar në të gjitha aspektet, siç ishte rasti i anëtarësimit në INTERPOL. Qeveria aktuale është izoluar plotësisht nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët hezitojnë edhe të shfaqen në konferenca mediesh me drejtuesit e saj”, thuhet më tej.

LDK thekson se Qeveria e Kosovës po bën lojëra për konsum politik me çështjen vitale të demarkacionit, duke e vënë në rrezik të ardhmen e qytetarëve, lëvizjen e lirë të tyre dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera mike.

“Qeveria e Kosovës, ka dështuar plotësisht që ta qojë përpara procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur. Kabineti i kryeministrit është shndërruar në vend të pritje-përcjelljeve të kota, duke përfshirë pritje për njerëz të inkriminuar. Kabineti Qeveritar përbëhet nga njerëz pa kredenciale dhe që nuk e përfaqësojnë asnjë qytetar. Anëtarë të kësaj Qeverie janë edhe njerëz që akuzohen me fakte nga fqinjët për dhunë gjatë luftës, apo zëvendëskryeministra që gjuajnë me armë zjarri në ambiente publike”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas tyre, vendimet më të mëdha të kësaj Qeverie janë emërimet nepotike të dhëndurëve në pozita të larta, si në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe se që nga marrja e mandatit të kësaj Qeverie, janë evidentuar dështime me pasoja fatale në shëndetësi.

Për LDK-në, buxheti i propozuar për vitin 2018 ka degraduar dhe e kthen situatën e para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor, një strukturë jo adekuate të buxhetit dhe një planifikim buxhetor i udhëhequr nga motive provinciale politike.

“Ngecjet janë evidente edhe në të gjitha fushat tjera që lidhen me qeverisjen qendrore. Në këtë situatë, Lidhja Demokratike e Kosovës, fton qytetarët e Republikës që të mos e humbin shpresën por që të bashkuar të rikthejmë vendin në binarët e zhvillimit, të perspektivës euroatlantike, të rikthejmë besimin dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet e BE-së dhe të hapim perspektivën e zhvillimit ekonomik për të gjithë qytetarët e vendit”, përfundon komunikata./Express

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)