Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po përpiqen që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe se për këtë synim do të vazhdojnë angazhimet derisa ajo ta fitojë njohjen e plotë.
Haley i bëri komentet gjatë një aktiviteti në Nju Jork me biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova të organizuar nga Konsullata e Kosovës dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kosovë.
“Ne kemi disa vlera të përbashkëta me kosovarët në komunitetin shqiptar. Ne e respektojmë njëri-tjetrin, besojmë në njëri-tjetrin, kemi të njëjtat vlera demokratike. Kjo është ajo që krijon një lidhje të fortë dhe marrëdhënie të forta që nuk mund të dëmtohen “, tha Haley.
Ajo mori pjesë në këtë takim me burrin e saj, duke treguar se gjyshi i tij kishte ardhur në SHBA nga Shqipëria.
“Çdo vend përballet me vështirësitë e veta. Edhe Shtetet e Bashkuara janë përballur me sfidat gjatë uraganeve që ndodhën këtë vit, dhe kosovarët kanë treguar gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar kur një stuhi goditi Teksasin. Kjo thjesht tregon lidhjet që kemi dhe vlerat që ndajmë”, tha Haley.
COMMENTS