Flet nëna e Florencit: Djalin ma mbytën, çfarë kërkoj nga shteti shqiptar

OFTAMOLOGU I AKUZUAR PËR RYSHFET, ARSYETON PSE JA MORI 150 EURO NJË PACIENTI

Familja e Florenc Beqirit, 23-vjeçarit që u masakrua në burg dhe ndërroi jetë në Francë, ka hapur dyert e mortit. Nëna e tij, Laureta, ka nisur kujën për djalin e vetëm, që sipas saj shkoi për një jetë më të mirë në Francë, por ia vranë.

Ajo nuk pranon versionin e dhënë nga pala franceze për një vetëvrasje të mundshme. Sipas saj, shenjat e dhunës dhe telit në trup janë të dukshme (siç ia ka raportuar i shoqi nga Franca).

Familja Beqiri i bën apel shtetit për sjelljen e trupit të djalit. Sipas tyre, ata e kanë të pamundur të përballojnë vetë shpenzimet. Ajo akuzon edhe mjekët që ia vranë të birin, pasi i kanë hequr tubat e oksigjenit që po e mbante atë në jetë. Sipas saj, i shoqi i ka raportuar se i biri e kishte tensionin normal, urinën arrinte ta bënte dhe se djersitej, çka tregon se ka qenë gjallë dhe me shpresa për ta risjellë në jetë.

Znj. Laureta, si iku në Francë djali juaj, Florenc Beqiri?

Ne kemi 8 vite që kemi ikur për të jetuar në Malin e Zi. Një mike e vajzës time na ka lënë që të jetojmë aty, sepse ajo jeton në Francë. Kush më thërriste për të pastruar shtëpitë në Malin e Zi, unë shkoja. Kam shkuar bashkë me dy vajzat e mia. Unë jam edhe e sëmurë. Djali iku para dy viteve në Francë për të gjetur atje një jetë më të mirë. Ka shkuar për të kërkuar azil. Gjatë kësaj kohe kemi folur me të krejt normalisht. Djalin nuk e pranuan për t’i dhënë statusin e “azilantit” ndaj qëndroi në të zezë atje. Dilte tek një burrë që ishte pronar i një dyqani për të shitur rroba.

Kur ka qenë hera e fundit që keni komunikuar me Florencin dhe çfarë ju tha?

Me 8 dhjetor ka qenë telefonata e fundit që kemi bërë me Florencin. Në atë datë ai ka qenë brenda në burg. Kishte shkuar Policia Franceze tek banesa ku jetonte dhe e ka kapur duke qenë se nuk kishte dokumentacion. Kur kam folur në telefon, më ka thënë se jam në burg pasi më kapi policia. Më tha se priste për t’u kthyer në Shqipëri derisa të bëhej numri i duhur me shqiptarë të tjerë për të mbushur avionin dhe se ishte në pritje që t’u prisnin biletat. Ai nuk na mori më në telefon. Atëherë vajza e telefonoi, por nuk dinte të fliste anglisht, sepse na doli një polic në telefon. Vajza kaloi në telefon një mikun e saj për të folur anglisht. Miku i vajzës i pyeti se çfarë po bëhet me Florenc Beqiraj, a po e sillni në Shqipëri.

Çfarë përgjigje morët nga polici i burgut?

Polici u përgjigj duke thënë se Florenc Beqiri ka vdekur dhe e kemi dërguar në spital. Unë nuk e di se si më ka vdekur djali në burg, sepse e morën të gjallë dhe ma çuan në gradë të fundit, këtë nuk e kuptoj. Për çfarë nuk ma kthyen të gjallë djalin, pse po ma sjellin të vrarë? Kush ia bëri atë punë djalit tim, çfarë bëri djali im?… Pronari i djalit që ka punuar me të është fshehur. Djali im nuk ka as telefonin. Nuk gjendet as pasaporta. Rrobat e Florencit i ka gjetur bashkëshorti në banjë të spitalit, sepse i kishin hedhur aty. Dua ta di përse ma mbytën djalin, pse s’ma sollën këtu të gjallë? Nëse s’ka pasur dokumentacion, ta sillnin në Shqipëri…

E pyetët Florencin, kur ishte në burg, për situatën aty?

Kur ka qenë në burg, më tha se jam mirë, kur e kam telefonuar tek numri i tij. Kishte rreth një muaj që nuk ishte futur në “Facebook”. Atëherë e telefonuam dhe tha mirë jam, por jam në burg. I thashë, çfarë je duke bërë? “Asgjë – tha- këtu, në burg”. Me kë je atje, e pyeta? Tha – jam me gjithfarë njerëzish këtu brenda. E pyeta kur do të kthehesh. “Edhe dy-tre ditë – më tha, – sa të na presin biletën, unë jam për Shqipëri”. Atëherë nuk jam dëgjuar më me të. Pas dy-tre ditësh provova ta telefonoj djalin, doli numri i fikur. Atëherë, mora numrin e policit që na kishte telefonuar, ai tha e keni të vdekur djalin në spital dhe s’na dha më përgjigje, e fiku telefonin.

Sa kohë qëndroi në burg Florenci?

Ka qëndruar rreth një muaj në burg, për shkak se nuk kishte dokumentacion.

Bashkëshorti juaj ka shkuar tek spitali në Francë, çfarë i ka thënë mjekëve?

I ati nuk ka pranuar që t’i hiqet oksigjeni, as nuk ka vendosur firmë. Sapo ka shkuar bashkëshorti në Francë, e kanë marrë në intervistë. Sapo ka dalë jashtë, kanë shkuar mjekët dhe i kanë hequr oksigjenin djalit dhe ai më pas ka dhënë shpirt. Burri i ka kërkuar që oksigjeni të mos hiqet dhe të qëndrojë ashtu edhe për një vit, dy vite apo sado që të kishte zgjatur. Zemra i ka rrahur, sepse e ka parë bashkëshorti, tensionin e ka pasur normal, urinën arrinte ta bënte, por edhe djersitej, çka tregon se ka qenë gjallë.

Kishte shenja dhune, çfarë ju tha bashkëshorti?

Ka qenë i dëmtuar, i çarë te fyti dhe nëpër duar. E ka parë burri telin brenda në mish. Pra ka pasur shenja dhune, teli në trup, por edhe fyti i çarë.

Keni folur më shumë me bashkëshortin?

Me bashkëshortin s’kam folur, sepse edhe ai është shumë keq, sepse ka djalin e vdekur para syve.

Çfarë kërkoni ju?

Unë dua drejtësi. Dua të di përse ma mbytën djalin. Ai shkoi për një jetë më të mirë si gjithë të rinjtë e tjerë. Përse e mbytën, nëse s’ka pasur letra, ta kishin kthyer, përse e vranë. Unë dua të zbardhet e vërteta. Dua të drejtat deri në pikën e fundit.

Kush do e sjellë trupin e Florencit në Shkodër?

Ne s’kemi mundësi që ta sjellim, ndaj i kërkojmë ndihmë shtetit që të na sjellë trupin e djalit. Jemi fukarenj. /Panorama/

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)