Ramush Haradinaj do duhej të ishte në udhëtim zyrtar për në Shtetet e Bashkuara të Kosovës (SHBA) ose duke ateruar në shtetin amerikan sot, por problemet me vizën diplomatike ia kanë ndërruar tërësisht planet kryeministrit të Kosovës.
Në vend të Amerikës, ai sonte ndodhet në një komunë relativisht të vogël të Kosovës: Rahovec.
Pas problemeve për pajisjen me vizë diplomatike, kryeministri i Kosovës ka zgjedhur që natën e së dielës ta kaloi në fejesën e Jonuz Shehut, djalit të Shehut të Teqës së Madhe në Rahovec, Besim Shehut.
Në një video që është postuar në Facebook nga pjesëmarrës të tjerë në këtë fejesë, Haradinaj shihet afër vendit ku po këndonte këngëtari i muzikës popullore Shkëlzen Jetishi.
Ramush Haradinaj kishte planifikuar që më 7 janar të udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por një problem me vizë ka bërë që udhëtimi zyrtar i tij drejt ShBA-vë të dështoi.
Këshilltari i tij politik, Avni Arifi tha se Haradinaj kishte planifikuar të udhëtonte drejt SHBA-së me 7 janar. Arifi tha se kryeministri do të takohej me zyrtarë në shtetin e Iowa-s, me të cilin Kosova ka lidhur marrëveshje të shumta.
“Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni nëse i është refuzuar viza kryeministrit Ramush Haradinaj. Është në procedurë dhe nuk kemi akoma përgjigje. Asnjë zyrtari të qeverisë nuk i është refuzuar viza amerikane, e aq më pak kryeministrit”, ka thënë Arifi për KTV-në.
Sipas Arifit, Haradinaj ka aplikuar për vizë në fund të dhjetorit, të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare në sajtin e Ambasadës Amerikane në Kosovë, tregojnë se ekzistojnë lloje të ndryshme të vizave. Një nga to janë edhe vizat diplomatike dhe të zyrtarëve qeveritar.
Për këtë lloj vize, Ambasada kthen përgjigje brenda një dite. /Insajderi
COMMENTS