Në tre vjetët e ardhshëm (2018-2020) Qeveria e Kosovës planifikon të investojë afro 20 milionë euro për ulje të shkallës së papunësisë në vend. Prej këtyre mjeteve nga buxheti i Kosovës është paraparë të ndahen 10.252.400 euro, ndërkohë që nga donatorët është planifikuar të merren 9.973.100 euro.
Këto shifra janë dhënë në draft-programin për reforma në ekonomi, ku njëra ndër masat e parapara është ajo për rritjen e qasjes së të rinjve dhe grave në tregun e punës, siç thuhet, përmes ofrimit të shërbimeve cilësore të punësimit, masave aktive të punësimit dhe ndërmarrësisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas këtij draft-programi, këto masa synojnë përmirësimin e kapaciteteve të shërbimeve publike të punësimit për punëkërkuesit, të papunët dhe punëdhënësit, nëpërmjet funksionalizimit të plotë të agjencisë së punësimit të Republikës së Kosovës, si dhe ofrimi i shërbimeve cilësore për ndërmjetësim në punësim dhe aftësim profesional.
Gjithashtu thuhet se synohet edhe zgjerimi i masave aktive në tregun e punës si: punë publike, subvencionim i pagave, vetëpunësim, promovim i ndërmarrësisë, praktika në punë apo trajnimi në punë.
COMMENTS