Në mëngjesin e sotëm, në shkollën fillore “Bajram Curri”, në Istog, një prind ka sulmuar një nxënës në klasë. Kjo ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin pasur dy shokët e klasës, njëri nga ta djali i sulmuesit.
Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, i cili bëri të ditur se sot gjatë orës 09:35, një person i lindur në vitin 1975, me inicialet H.P. ka hyrë në klasë, duke rrahur kështu një nxënës.
Patrullat e Policisë kanë arritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arrestuar kështu personin. Ndërsa, viktimës i është ofruar tretmani mjekësor në shtëpinë e shëndetit në Istog.
Express mëson se arsyeja pse i dyshuari ka ushtruar dhunë ndaj nxënësit ka qenë një mosmarrëveshje që kishin pasur dy nxënës të asaj klase.
Prokurori i Shtetit ka sugjeruar që të hapet rasti dhe i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe rasti do të shkojë në procedurë të rregullt. /Express/
COMMENTS