Suksesin e një sportisti të Kosovës e kanë shfrytëzuar së paku dhjetë zyrtarë të shtetit. Ata do të shkojnë në Korenë e Jugut bashkë me skitarin Albin Tahiri, si pjësëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore. Pyetja është: pse duhet kaq shumë zyrtarë të Shtetit të shkojnë në një ngjarje kur merr pjesë vetëm një sportist.
Zëdhënësi i Komitetit Olimpik të Kosovës Kushtrim Krasniqi ka konfirmuar për Gazetën Express se në Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen nga data 9 shkurt në Korenë e Jugut, do të udhëtojnë 10 zyrtarë me skitaristin e vetëm që do ta përfaqësojë Kosovën, Albin Tahirin. Shtatë prej tyre janë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa tre mysafirët tjerë janë zyrtarë shtetërorë.
Sipas Krasniqit, tre anëtarë të delegacionit 11-anëtarësh kosovar që shoqëron të vetmin garues në Lojëra, do të qëndrojnë në Fshatin Olimpik (së bashku me skitarin). Këta janë zyrtari për media, shefi i misionit dhe trajneri Agim Pupovci.
Ndërkaq, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Komitetit, Shasivar Haxhijajn, si dhe dy anëtarë tjerë të bordit, do të shkojnë në Korenë e Jugut me ftesën e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
“Ky lajm nuk është aspak i vërtetë. Në Korenë e Jugut do të udhëtojnë shtatë persona bashkë me Albin Tahirin, ndërsa vetëm katër do të vendosen në Fshatin Olimpik: zyrtari për media, shefi i misionit, Bujar Turjaka dhe trajneri, Agim Pupovci. Kurse kryetari, Besim Hasani, sekretari i përgjithshëm i Komitetit, Shasivar Haxhiaj dhe dy anëtar tjerë të bordit të Komitetit Olimpik, kanë ftesë nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe do të qëndrojnë vetëm për një kohë të shkurtër. Do të marrë pjesë edhe një sponsor, prej katër të tillëve”, ka deklaruar Krasniqi për Express.
Ai ka treguar se do të shkojnë në Lojërat edhe Presidenti Hashim Thaçi, me një këshilltar, konkretisht me Veton Firzin, si zyrtar i Ministrisë së Sportit.
“Nga Qeveria e Kosovës pritet të vijë Presidenti me anëtar apo këshilltar dhe një zyrtar i Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport, Veton Firzi”, shtoi Krasniqi, i cili tregoi se ftesë kishte edhe Kryeministri, por që nuk do të marrë pjesë.
Sipas Krasniqit, bazuar edhe në pjesëmarrje në Komitetet tjera që kanë një apo dy sportistë “ne jemi Komiteti Olimpik me më së paku sportist dhe zyrtar që udhëtojnë në PyeongChang”.
Kosova do të debutojë në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, të cilat do të mbahen prej 9-25 shkurt 2018 në Korenë e Jugut.
Ekipin olimpik të Kosovës do ta përfaqësojë skitari Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik: sllallom, sllallom i madh, super sllallom i madh, lëshim i shpejtë dhe kombinim alpik. /Gazeta Express/
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/sport/10-profitere-te-shtetit-bashke-me-nje-skitarist-shkojne-ne-korene-e-jugut-495349/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
COMMENTS