Qeveria e Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ia ka njohur të arriturat Kosovës, pas publikimit të një raporti mbi strategjinë për Zgjerim të BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Evropian.
Përmes një komunikata për media, Qeveria e Kosovës është ankuar se në këtë raport, Kosova është trajtuar në mënyrë të pabarabartë me vendet e tjera.
“Republika e Kosovës trajtohet në mënyrë asimetrike, pa qartësi për të ardhmen e saj evropiane, duke renditur vetëm kushtet dhe jo stacionin e Kosovës”, ka thënë Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, raporton Insajderi.
Qeveria ka thënë se “Republika e Kosovës ka një varg arritjesh të cilat do të duhej të njihen dhe pranohen nga Bashkimi Evropian si përkushtim serioz për avansim thelbësor në rrugën evropiane të shtetit tonë.”
“Me Qeverinë e re, Kosova ka implementuar shpejtë dhe me efikasitet prioritetet kyçe të listuara në Agjendën e Reformave Evropiane (ERA 2017), dhe kështu ka bërë progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kritereve të përgjithshme të MSA-së”, thuhet në kuminikatën e Qeverisë.
Qeveria ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ia ka bërë të qartë Kosovës rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.
“Qeveria e Kosovës ka pritur që ky progres të jetë i mjaftueshëm për të qartësuar rrugën që ka Kosova para vetes për të fituar statusin kandidat, ashtu siç ishte me të gjitha shtetet tjera të rajonit, dhe Strategjia e Zgjerimit të jetë mundësi dhe udhërrëfim i barabartë për të gjithë, e jo vetëm të listojë kriteret pa i renditur rezultatet e arritura2, thuhet në kumtesë.
Ekzekutivi kosovar i ka dërguar edhe një mesazh Brukselit zyrtar. “Viti 2018 do të duhej të jetë viti kur Kosova me punën dhe përkushtimin e saj, e fiton statusin kandidat dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, ka thënë Qeveria e Kosovës. /Insajderi
COMMENTS