Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka pesë zëvendëskryeministra, e që përveç stafit dhe shpenzimeve të tjera këta shpenzojnë edhe derivate të naftës.
Telegrafi pas kërkesës për qasje në dokumente publike në Zyrën e Kryeministrit ka siguruar shpenzimet për derivate të naftës për zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj, Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, derisa nuk ka marr përgjigje për shpenzimet e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, ndërsa për zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq kanë premtuar se do të kthejnë gjatë javes.
Kampion në shpenzimin e derivateve sa i përket zëvendëskryeministrave është Enver Hoxhaj i cili përveç kolegëve të tij, me shpenzime ia ka kaluar edhe shefit të tij, në Qeveri, Ramush Haradinaj i cili kishte shpenzuar 1313.05 litra derivate në vlerë prej 1330 euro.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj nga marrja e postit më 9 shtator e deri më 31 dhjetor 2017, ka shpenzuar 1544 euro vetëm për derivate.
“Në shtator ka shpenzuar 262 litra, në tetor ka shpenzuar 566.05 litra, në nëntor ka shpenzuar 512.03 litra dhe në muajin dhjetor 2017, ka shpenzuar 458 litra derivate. Në total ka shpenzuar 1523.08 litra derivate në vlerë prej 1544 euro”, është thënë në përgjigjet e Zyrës së Kryeministrit pas kërkesës së Telegrafit për qasje në dokumente publike.
COMMENTS