Shkruan: Granit Duriqi
E nisën edicionin me shumë pompozitet, gati të sigurtë se do të inkuadrohen në Superligë. Ndërsa bazuar në sezonin vjeshtor dhe orarit shumë të papërshtatshëm në Pranverë, Ulpiana do të jetë kandidat serioz, por jo për t’u inkuadruar në rangun më të lartë të garave në futbollin e Kosovës, por për të rënë në fund të pusit. Në Ligën e Dytë. Dhe gjithë kjo, falë politikës fatale të klubit, të cilët përzunë të gjithë lojtarët vendas, e bashkë më ta edhe tifozët e flaktë “Ultras Tigrat”, duke i zëvendësuar ata, me “kullera të shehrit”, të cilët mund të jenë manikenë të suksesshem, mirëpo assesi futbollistë. Sado që për kryesinë, janë lojtarë me nam. E çfarë nami kanë, lëshojani një sy tabelës.Gjynah me pa. Dhe për të qenë absurdi edhe më i madh, për dallim nga koha e kaluar, kur skuadrat në Komunën e Lipjanit, sidomos ish-Rudari i Goleshit, tashmë Minatori, si dhe Arbëria, furnizonin klubin lipjanas të atëhershëm me emrin Slloga, tash Ulpiana po i furnizon këto dy klube me lojtarë të saj vendas. Përzënia e fundit dhe boshatisja nga lojtarët vendas, ndodhi këto ditë, kur kapiteni Xhafer Kaleshi, Emir Baftiu dhe Leart Dugolli, të gjithë akademi i KF Ullpianës, kaluan në Minator të Magures. Dhe për hijeshi, po i paguan me para të majme “kullerat” e Prishtinës. Sa për gjeneratat reja të kujtojmë vetëm me çfarë lojtarë kishin furnizuar Sllogën e Lipjanit, e më vonë edhe kur klubi mori emrin KF Ulpiana, klubet nga Magurja dhe Dobraja e Madhe. Dhe ata qe i kujtojnë, do të rrenqethen për cilësitë që i kanë pasë këta lojtarë. I papërsëritshmi, ndoshta edhe në Kosovë, Salih Lugolli. Ky më vonë luajti për Prishtinën me gjeneratën e artë të saj, si anëtare e Ligës së Parë Federative të ish-Jugosllavisë. Mehdi Lugolli, Selim Bajrami, Sami Kelmendi, Nuhi Bahtiri, Elmi Bublica, Xhelil Gashi, Shemsi Bytyqi, Izjadin Gashi, Selatin Gashi, Rrahman Gashi, Artan Gashi, e shumë tjerë. Hiç Salih Lugollin, që ishte yll mbi yje, të gjithë këta të tjerët, ishin superyje futbolli, për “kullerat e shehrit” që bashkë me kryesinë, kanë hapur gjysmën e varrit, ku do të “shtrihet” Ulpiana. Megjithate, “kullerat” janë “kullera” dhe nuk mund të thuhet se i gjithë faji është i tyre. Ata kanë gjetë ku me mjelë, edhe le të mjelin. Faji dyfish më i madh për këtë vaki, që kurrë në histori nuk i ka ndodhur Lipjanit, që në skuadër të ketë vetëm një lojtar vendas, është i kryesisë së klubit, e në rend të parë kryetarit Abedin Salihu. Është e pabesueshme, se si ka mundësi, që një biznesmen aq i suksesshëm, të shpenzojë para kot, dhë të udhëhiqet deri në verbëri nga dirigjimet e mikut të tij të familjes, Drejtorit aktual të klubit Fitim Arifit. Se sa marrin vesh të dy për futbollin edhe njeherë lëshojani sytë tabelës dhe do të bindeni se sa këta dy njerëz e njohin futbollin m’sa e njohin lojën e ragbit. Abedin Salihu dhe Fitim Arifi, janë fajtorët e vetëm për katandisjen e klubit në këtë derexhe. Dhe pikë. Dhe per t’i vënë pikën, e kam të drejtën morale, sepse gjatë gjithë kohës, kur KF Ulpiana po udhëhiqej nga një kryesi, që nuk pëlqehej gati nga askush, kam bërë thirrje publike nëprmjet shkrimeve në mediumin të cilin e udhëheqi Ulpianapress, që KF Ulpiana të udhëhiqet nga Abedin Salihu, sepse kisha besimin se ka aftësi të menaxhojë me te. E, tash po del se këta janë më të zi se kryesia e vjetër. Përfundimisht po e vë pikën. Ndërsa lutem që unë të jem dallash, e këta të jenë në udhë të Zotit. Kjo, vetëm për të mirën e klubit, jo për ta.
P.s. Ky është vetëm shkrimi i parë, për katandinë që e ka kapluar KF Ulpianën. Në shkrimet në vijim, do të plasohen dyshimet për keqmenaxhimin që po ndodhë me klubin, e që haraçin e kësaj do ta paguajë vetë Abedin Salihu, i cili do të detyrohet të paguajë koston katërfish më të lartë, për ti blerë lojët, vetëm për ta shpëtuar klubin nga rënia.
COMMENTS