AGK kërkon drejtësi për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë

AGK kërkon drejtësi për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë

Emigrantët e refuzuar, anijen me 629 persona nuk e pranon asnjë shtet

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar drejtësi për të gjithë gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës 1998-2005.

Në konferencën e organizuar nga AGK në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ku ishin të pranishëm edhe familjarë të gazetarëve të vrarë, u tha se mungesa e drejtësisë për këto raste paraqet një njollë të zezë për institucionet e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha rastet e të zhdukurve dhe të vrarëve dhe gazetarët nuk janë çështje etnike.

“Kjo nuk është një çështje etnike në lidhje me serbët dhe shqiptarët, ka të bëjë me njerëzit, civilët, gazetarët që kanë bërë punët e tyre. Ne duhet të flasim për këta njerëz. Ata nuk janë statistikë, ata janë baballarë, vëllezër të dikujt, këtë ia kemi borxh familjeve të tyre,” tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se mosndëshkimi për krimet e kryera kundër gazetarëve ka ndikim në lirinë e raportimit dhe do të hap derën për sulme të ngjashme në të ardhmen duke iu bërë thirrje prokurorëve dhe autoriteteve gjyqësore të bashkëpunojnë ngushtë për të sqaruar fatin e 15 gazetarëve.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se gazetarët nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për kolegët e tyre të vrarë duke kërkuar kështu themelimin e një fondi të veçantë që do të përkrahte hulumtimet e gazetarëve, jo vetëm për të kontribuuar për ndriçimin e fatit të kolegëve tonë, por edhe në shenjë kujtimi për veprën e tyre.

“E thash edhe dje në Gracanicë, e po e them edhe sot, për mua si nënë e dy fëmijëve, si gazetare, si përfaqësuese e gazetarëve të Kosovës, nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të ketë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelet e tjerë. E të njëjtën e presim të gjithë, ashtu si ju familjarët e dhe ne gazetarët”, shtoi Begolli Pustina.

Zbardhja e këtyre rasteve u kërkua edhe nga përfaqësuesi i gazetarëve serb në Kosovë, Budimir Nicic.

”Rezoluta për 15 gazetarët e vrarë në Kosovë u miratua vitin e kaluar, megjithatë, Komisioni ende nuk është ngritur. Ne kërkojmë që të zbulohet e vërteta e vërtetë për vuajtjet e kolegëve tanë, pavarësisht nga kombësia, dhe që fajtorët të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen”, tha Nicic.

Katër gazetarë raportohen si të zhdukur dhe 11 të tjerë të vrarë, për të cilët kanë kërkuar drejtësi sot edhe familjarët e tyre.

Beriana Mustafa, vajza e gazetarit të ndjerë Xhemajl Mustafa, tha se për ta si familjarë është e rëndësishme të dihet se kush dhe pse i vrau më të dashurit e tyre dhe se të flasësh për vrasjen e gazetarëve, të kërkosh drejtësi për ta nuk është vetëm obligim moral, por sipas saj, është e drejtë bazike.

”Le të jetë cilido verdikt i institucioneve të drejtësisë, ata nuk kanë me u ngjallë. Por, për neve ka me qenë e rëndësishme, për mua si vajza e Xhemail Mustafës, të paktën një natë kur na bimë të flemë dhe kur i mbyllim sytë kemi me qenë të qetë shpirtërisht sepse urdhërdhënësit e vrasjeve të tyre sot janë mbrapa, janë në burg, e jo në çdo mëng jes, secili prej neve ka me u zgjua në mëngjes veç me një pikëpyetje, kush e bëri dhe pse e bëri”, tha ajo.

Ndërsa Dijar Popova, djali i gazetarit të ndjerë të Rilindjes, Shefki Popova, tha se instuticionet kanë dështuar në zbardhjen e këtyre rasteve.

”Po flasim 18 vjet pas rastit, institucionet në këtë rast kanë dështuar që nga Eulexi, Unmiku. Ne endemi pa shpresë nëpër të gjitha institucionet që na kanë mbyllur vazhdimisht derën duke thënë se hetimet po vazhdojnë. 18 vjet s’mundemi të kuptojmë se si asnjë rast i vetëm nuk është zbuluar”, tha ai.

Bashkëshortja e gazetarit Afrim Maliqi, Sevdije Maliqi, ka rrëfyer disa momente prekëse nga koha kur burri i saj me 3 dhjetor të vitit 1999 ishte vrarë nga forcat serbe. Maliqi ka bërë të ditur se asnjëherë nuk është ftuar nga asnjë institucion i drejtësisë për të folur në lidhje me rastin e burrit të saj të ndjerë.

”Në përvjetorin e vdekjes së tij, ai ka pasur edhe ditëlindjen. Shkrimet e tij për dikë kanë qenë bombastike dhe s’janë duruar. Ai ka qenë gjithmonë i përcjellur . Edhe kur kemi qenë bashkë, kemi qenë të përcjellur nga njerëz të dyshimtë . Jeta në atë kohë me gazetarë siç e kemi pasur ne s’ka qenë e lehtë”, theksoi ajo.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe gazetarë serb . Jelena Petkoviq e cila është duke përgatitur publikimin e një libri për vrasjen e kolegëve tanë gazetarë si dhe fjalë rasti pati dhe gazetarja Ivana Petroviq e cila shpalosi kujtime nga kolegët e saj serb të vrarë.

Gazetarja Serbeze Haxhiaj, Die Morina, Mimoza Lakna dhe gazetari Zekirja Shabani ishin të tjerë panelistë të cilët folën për fatin e gazetarëve të vrarë para, gjatë dhe pas luftës.

Vajzat e gazetarit të vrarë Haki Braha, Bardh dhe Nora Braha bashkë me familjarët e gazetarit të vrarë Bardhyl Ajeti, Nebih Ajeti, ishin po ashtu të pranishëm në këtë konferencë.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez .

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)