Komuna e Lipjanit gjatë vitit 2022 ka realizuar një varg projektesh kapitale në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, zhvillimit ekonomik dhe në fusha të tjera.
+ 0
Pjesën më të rëndësishme të projekteve kryetari i Komunës Imri Ahmeti i prezantoi pasditen e së martës në Kuvendin Komunal.
Sipas raportit të Komunës për periudhën janar-dhjetor të vitit 2022, kjo komunë ka përkrahur aktivitete të ndryshme të të rinjve, fermerët, sportistët dhe kategoritë e ndryshme të qytetarëve.
Sipas kryetarit Ahmeti, viti 2022 ishte ndër vitet më sfiduese pasi që ishte një vit pas pandemisë dhe ishte një vit i ndikuar nga inflacioni që ka pasur impakt në punën e përgjithshme të qeverisjes lokale.
Sipas tij, shkaktar tjetër i këtij inflacioni ishte edhe lufta në Ukrainë. Me gjithë atë jemi të kënaqur me rezultatet tona pavarësisht sfidave.
“Ka pasur vlerësime pozitive edhe nga organizatat vendose e ndërkombëtare që Lipjani përsëri renditet ndër komunat e para për projekte me “Demos”-in dhe me projekte të tjera për transparencë që e kemi zënë vendin e parë nga instituti GAP për transparencë buxhetore, pastaj nga KDI-ja për transparimetrin komunal. Komuna ka marrë shpërblime nga DEMOS-i e pastaj edhe nga GIZ-i gjerman disa kamionë për garën për mjedis të pastër dhe shumë projekte të tjera”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, qytetarët e Lipjanit meritojnë mirënjohje për të hyrat vetanake me arsyetim se në vitin që e lamë pas buxheti i të hyrave është tejkaluar në raport me planifikimin deri në 39 për qind bashkë me donacionet, ndërkaq vetëm si e hyrë vetanake është 23.79 për qind mbi planifikimin buxhetor.
“Vitin që e lamë pas janë realizuar një varg projektesh që kanë efekt në mirëqenien e qytetarëve duke filluar nga ky objekt i administratës deri te gjitha projektet tjera që shihen në terren. E veçanta në fushën e arsimit është përfundimi i dy çerdheve në Sllovi dhe Gadime dhe fillimi i punimeve në dy çerdhe të tjera në Rufc dhe Shalë që pritet të përfundojnë sivjet. Pastaj, është vendosur gurthemeli i shkollës së re në Ribar të Madh dhe janë rinovuar disa objekte shkollore në lokalitete. Është rinovuar edhe salla e sporteve në Gllogovc e cila pritet të përfundoj sivjet’, ka shtuar Ahmeti.
Sipas tij, Gjatë vitit janë angazhuar 32 student me pagesë si praktikantë në Administratë dhe është shënuar progres edhe në ndarjen e bursave për 175 student. “Subvencionet janë rritur në kulturë nga 125 mijë sa kishim më 2021, kemi kaluar në 250 mijë në vitin 2022. Janë subvencionuar 19 klube sportive, janë financuar botime të librave dhe aktivitete rinore. Palestra sportive është afët finalizimit dhe po besojmë se sivjet përfundon. Rëndësi e veçantë i është kushtuar hapësirave publike në mirëmbajtje të lumenjve , shtatoreve, varrezave etj. Kemi ndërtuar kënde për lodra për fëmijë në fshatra Gadime, Sllovi dhe në qytetin e Lipjanit dhe po vazhdon ky projekt edhe ne disa lokalitete të tjera”, ka thënë më tej Ahmeti.
Ai ka shtuar se investime ka pasur edhe në Shëndetësi për pajisje të analizave, renovim të objekteve dhe blerje të autoambulancave. Ndërkaq, ka përmendur finalizimin e zonës ekonomike dhe mundësisë për zgjerim, pastaj asfaltim të rrugëve në lokalitete e ndriçim publik.
Koha.net
COMMENTS