Me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit, kryeyari Ahmeti ka uruar agjërim të mbarë të gjithë besimtarëve myslimanë, percjell Ulpianapress.
“Të dashur qytetarë të besimit Islam, me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, uroj që ky muaj të sjellë sa më shumë paqe, harmoni, mirëqenie dhe lumturi për ju dhe familjet tuaja.
Muaji i Ramazanit, forcon veprat e mira, respektin dhe solidaritetin mes njerëzve dhe shërben për rritjen e përkushtimit ndaj punëve të përgjegjshme.
Andaj të gjithë besimtarëve myslimanë, agjërim të lehtë e të pranueshëm!”, uron Ahmeti.
Muaji i shenjtë për myslimanët, Ramazani, ka nisur sot dhe do të mbyllet më 21 prill me faljen e namazit të Bajramit.
Fillimi i muajit të agjërimit përcaktohet në bazë të lëvizjes së hënës, e cila për të gjithë myslimanët në çdo cep të botës përcjell një drejtësi apo një harmonizim për ta kryer sa më të plotë këtë muaj të begatë.
Përveç vlerave shpirtërore e morale, agjërimi, ka gjithashtu edhe një vlerë shoqërore shumë të madhe, atë të bashkimit të njerëzve mes tyre dhe kontributit për ata që kanë nevojë./Ulpianapress/
COMMENTS