Ka nisur një fushatë që kërkon mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së dhe kandidimin e Albin Kurtit për kryetar të këtij subjekti politik.
Aktivistë dhe simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur një fushatë mbështetjeje për kandidimin e Albin Kurtit për kryetar të kësaj partie.
Me hashtagun “VVdemokratike” aktivistë e mbështetës të kësaj partie po kërkojnë që sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e brendshme.
Statuti i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se Këshilli i Përgjithshëm duhet të mblidhet çdo tre muaj, e hera e fundit që është mbledhur është në gusht të këtij viti.
“Unë jam aktivist/e i/e Vetëvendosjes. Kërkoj të respektohet Statuti dhe demokracia e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje. Të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, organi më i lartë vendimmarrës, sepse me Statut duhet mbledh çdo tre muj, e tash kanë kalu katër. Të shpallen zgjedhjet e brendshme për kryetar, me Statut u ka ardhë koha!Të kandidojë Albini! Me Statut ka të drejtë!#VVdemokratike”
Ky është një prej statuseve që është shpërndarë më së shumti me hashtagun VVdemokratike.
Me këtë hashtag janë shpërndarë edhe statuse tjera ku nuk kërkohet direkt kandidimi i Kurtit për kryetar.
“Secili le të kandidojë me platformë idesh. Fituesi e humbësi të shtrëngojnë duart, e fituesi të mos e përjashtojë humbësin. Demokraci pa kushtëzime. #VVdemorkatike”, është statusi tjetër që po vazhdon të përdoret.
Themeluesi dhe ish kryetari i Vetëvendosjes, tani deputet, Albin Kurti është në paraburgim për shkak të akuzave për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Ditëve të fundit është publikuar në media një komunikim i brendshëm i deputetëve të Vetëvendosjes, në të cilin Aida Dërguti e ofendon Albin Kurtin.
Dërguti pas këtij publikimi dha dorëheqje të hënën nga kryesia e Vetëvendosjes dhe pozita e kryetares në qendrën e Vushtrrisë.
Në këtë link mund t’i gjeni të gjitha postimet me hashtagun VVdemokratike.
COMMENTS