John Bolton, Këshilltar Nacional për Siguri i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, do ta qortojë sot kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kushtëzimet publike që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë ndaj SHBA-së dhe BE-së për pezullimin e taksës, kanë alarmuar Shtëpinë e Bardhë, e cila e konsideron Kosovën dhe popullin shqiptar si mbështetësit më të mëdhenj në botë.
Kushtëzimet e hapura ndaj SHBA-së duket se nuk do të kalojnë pa pasoja për shtetin e Kosovës dhe kryeministrin Haradinaj.
Burime të Lajmi.net bëjnë të ditur se sot gjatë ditës, njëri nga këshilltarët kryesorë të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të zhvillojë bisedë telefonike me kryeministrin Ramush Haradinaj për t’ia bërë të qartë qëndrimin amerikan ndaj kushtëzimeve publike që Haradinaj i ka bërë aleatit më strategjik të Kosovës.
I njëjti burim ka shpjeguar se Shtëpia e Bardhë është shumë e shqetësuar me qasjen e fundit të kryeministrit kosovar ndaj SHBA-së dhe kjo pritet t’i bëhet e qartë sot gjatë ditës vetë kryeministrit Ramush Haradinaj.
John Bolton, Këshilltar Nacional për Siguri i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, sipas të njëjtit burim, do ta qortojë sot kryeministrin Haradinaj se nuk ka asnjë mundësi që të flasë në formën që ka zgjedhur ai me SHBA-të si shteti më meritor për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Po ashtu, kjo telefonatë pritet t’i rikonfirmojë masat dhe sanksionet amerikane ndaj Kosovës, në rast të mosreflektimit të Haradinajt karshi kërkesës së SHBA-së që Kosova të pezullojë përkohësisht taksën ndaj Serbisë, për t’i hapur rrugë marrëveshjes finale të dialogut, si interes strategjik i SHBA-së në rajonin e Ballkanit.
COMMENTS