Visar Ymeri ka folur për arsyet që e ndanë Vetëvendosjen në dy krahë, në atë të Albin Kurtit dhe në krahun e Dardan Molliqajt.
Ish-kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka treguar se si kanë nis përçarjet në këtë parti. Ai ka treguar se Albin Kurti, i cili tani po synon rikthimin në krye të VV’së kishte kundërshtuar kandidimin e Dardan Molliqajt për deputet.
“Reagimi im vjen si rrjedhoje e një mospajtimi të thellë që kam me një organizatë të tillë”, tha Ymeri.
“Ka pasë një kërkesë të vendosur të Albin Kurtit që Dardan Molliqaj të mos kandidojë për deputet gjë që më dukej absurde”, tha Ymeri në ‘Argument Plus’ në rtv21.
Sipas Ymerit, ish-sekretari i VV’së nuk kishte synim për të rivalizuar Kurtin politikisht.
“Nuk mendoj që e ka parë si rival politik. Nuk mendoj që ka pasur asnjë lloj arsye për asnjë lloj paniku që u krijua nga Albin Kurti”, tha Ymeri.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, nga postet e larta drejtuese, tashmë kanë dhënë dorëheqje personalitete të njohura politike duke përfshirë kryetarin Visar Ymeri, nënkryetarin Dardan Sejdiu dhe anëtarë tjerë të këtij subjekti politik.
Zyrtarët e mbetur në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje, më herët kanë mohuar se ka përçarje dhe fraksione brenda Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar ato vetëm si mospajtime.
Ndërkohë, Albin Kurti është kandidat i vetëm për kryetar të VV’së në zgjedhjet partiake.
COMMENTS