Protesta e kuksianëve për Rrugën e Kombit si dhe akti i mosbindjes civile, i ndërmarë nga opozita, janë shkalla e fundit e cila mund të pasohet dhe nga një revoltë e madhe popullore, ashtu siç ndodhi në vitin 1997.
Ky është parashikimi i analistit Fatos Lubonja, i cili në një intervistë për rubrikën Opinion në Neës24, nuk ka përjashtuar rastin e përsëritjes së një 97’-të tjetër në Shqipëri. Pavarësisht se vetë Lubonja nuk është shprehur drejtpërdrejt nëse ka mundësi të ndodhë apo jo diçka e tillë, përjashtimi i mundësisë për një 97’ të dytë duket se nuk është në tavolinën e paraqitjes së fakteve dhe logjikës së situatës së krijuar për shkak të protestave dhe taksës së kripur për Rrugën e Kombit.
“Mosbindja civile është pjesë e demokracisë. Kjo nuk është për të sjellë Bashën në pushtet, por për të shpëtuar fëmijët. Nuk është vetëm Kukësi, por e gjithë Shqipëria dhe duhen protesta sa më të gjëra. Dhuna nuk është e nevojshme nëse njerëzit bashkohen. Kuptimi i kësaj mosbindjes civile është se nuk ka mbetur mjet tjetër për të vepruar. Ata arrestojnë njerëzit për djegien e një kabine. Mosbindja çivie mendoj se është shkalla e fundit përpara një revolte siç ka ndodhur në Tunizi apo siç ndodhi në 1997 në Shqipëri”- tha Fatos Lubonja.
Por nga ana tjetër, Lubonja shprehet se tërheqja e deritanishme e Ramës, ku ai ka kërkuar faljen dhe deklaron se nuk do të ketë taksë derisa të sqarohet fatura që do të paguajnë kuksianët, për analistin është një lëvizje taktike që tregon qartë për frikën që ka kapur kryeministrin. Lubonja argumenton se frika nuk vjen për shkak të opozitës, pasi sipas tij Rama nuk është i rrezikuar prej tyre, por për shkak të tensionit që kanë nxitur protestat qytetare.
“Rama bëri tërheqje taktike për taksën në Rrugën e Kombit për shkak të dhunës që u krijua dhe frikës, por jo për shkak të opozitës. Kukësi ishte një theksim i kësaj metode qeverisje. Tërheqja e kryeministrit është frikë dhe jo reflektim. Është e gjithë struktura e qeverisjes së tij që nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëjnë plane për të gënjyer dhe mashtruar shqiptarët”- tha Lubonja.
Lubonja tha se nuk rrezikohet pushteti i Ramës nga tensioni i krijuar për shkak të protestave. Ai tha se Rama ka kapur policinë dhe Prokurorinë.
“Nuk rrezikohet pushteti i Ramës nga tensioni i krijuar. Është një sistem që nëse vazhdon kështu do sjellë një katrahurë. Me këto metoda nuk shkohet kurrkund përveçse greminës. Ekzistenca e çdo opozite është se sado e vogël të jetë ajo, është më mirë se të mos jetë fare. Opozita nuk është çliruar nga akuzat. Rama ka kapur policinë dhe prokurorinë”- tha analisti./Gazeta Express
COMMENTS