Policia e Kosovës ka arrestuar mësimdhënësin (Sh.A, 41 vjeçar) në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan, nën dyshimin se ka kërcënuar dhe rrahur vazhdimisht bashkëshorten e vetë në prezencë të dy fëmijëve të moshave 3 dhe 8 vjet.
Çifti bashkëshortor jetonte në një banesë në qendër të Lipjanit, ndërkaq bashkëshortja e tij pas trajtimit mjekësor sëbashku me fëmijët është rikthyer te familja e vetë.
Ajo është 25-vjeçare dhe ishte nxënëse e mësimdhënësit të arrestuar, ndaj të cilit është shkaktuar masa e mbajtjes prej 48 orëve.
Të afërmit e çiftit bashkëshortor në kushte anonimi kanë thënë se mësimdhënësi edhe në të kaluarën ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, por ajo nga kërcënimet nuk ka pasur guxim ta lajmëronte rastin. “Mësimdhënësi është arrestuar mbrëmë rreth orës 19:00, sepse për disa ditë me radhë e ka rrahur vazhdimisht gruan e vetë, por në të kaluarën ajo nuk ka pasur guxim ta lajmërojë rastin. Kurse tash, pas lëndimeve të rënda, nuk ka pasur rrugëdalje tjetër veçse të kërkojë mbrojtjen e organeve të shtetit”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.
Ai ka thënë se me rastin është marrë edhe Qendra për Punë Sociale në Lipjan, pasi që dhuna ka ndodhur edhe në praninë e fëmijëve.
“Rasti është raportuar edhe te Qendra për Punë Sociale, ndërkohë fëmijët të moshës 3 dhe 8 vjeç janë duke u trajtuar me psikologë për shkak të traumës që kanë pësuar”, ka thënë ky burim.
COMMENTS