Bizneset në Lipjan kundërshtojnë draft-rregulloren e komunës për të pushuar të dielave

Bizneset në Lipjan kundërshtojnë draft-rregulloren e komunës për të pushuar të dielave

Vihet gurthemeli i shkollës në Sllovi (Foto)

Komuna e Lipjanit ka nisur hartimin e një draft-rregullore të re e cila përcakton orarin e punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera biznesore.

Me këtë rregullore komuna po synon që bizneset të pushojnë gjatë ditëve të diele dhe ditëve të festave zyrtare. Mirëpo, kjo çështje po kundërshtohej nga shumica e bizneseve derisa ato po dëshirojnë të punojnë lirshëm. Rreth kësaj çështje është mbajtur edhe një dëgjim publik në komunën e Lipjanit me qëllim që ekzekutivi të marrë vërejtjet dhe sugjerimet e bizneseve. Kjo rregullore sipas ekzekutivit të Lipjanit ka për qëllim më së shumti t’i mbroj të drejtat e punëtorëve për të pushuar të dielën, mirëpo në anën tjetër bizneset kanë thënë se punëtorët duket të mbrohen me ligjin e punës dhe jo për t’i mbyllur bizneset ditën e diele. Përfaqësuesit e bizneseve po ashtu kanë kërkuar nga inspektorati të punoi më shumë në këtë drejtim për t’i ndëshkuar ato biznese të cilat nuk i zbatojnë ligjet për punëtor, raporton Koha Ditore.

Selatin Retkoceri, përfaqësues i një biznesi në Lipjan ka thënë se nuk guxon askush të ngutet rreth kësaj çështje dhe të vendos rregulla të reja për biznese sepse ato përcaktohen me ligjet në fuqi.

“Orari i punës për biznese duhet të kufizohet gjatë natës që pas orës 23:00 në mënyrë që mos ta prishin qetësinë publike. Por të kufizohen bizneset në orar të dielën është problematike kjo çështje sepse Lipjani dhe Kosova është herët ta bën një gjë të tillë. Ne nuk jemi shtete skandinave, nuk jemi sikur Holanda, Gjemania e as Zvicra, andaj t’i zbatojmë ligjet në fuqi, t’i respektojmë të drejtat e punëtorëve në orar të punës, ndërkaq, pronarët e familjarët le të punojnë sa të duan, mirëpo punëtori e ka të përcaktuar me ligj se sa orë gjatë javës duhet të punoi”, ka thënë Retkoceri.

Sipas tij, në Lipjan ka shumë biznese të njëjtës veprimtari, andaj të dielën ato më së shumti kanë punë.

“Nuk mund të kufizohet që e diela të jetë ditë pushim derisa qytetarët janë në pushim dhe kanë nevojë për të blerë gjëra ushqimore etj. Andaj nëse ndodh kjo, atëherë qytetari i Lipjanit obligohet të dielën të shkoi në një qytet tjetër dhe t’i shpenzoi në një komunë tjetër, atëherë cili është interesi i zhvillimit të biznesit në këtë rast”, ka thënë Retkoceri. Sipas tij, kjo rregullore dëmton zhvillimin e bizneseve, dëmton rritjen e numrit të punëtorëve dhe dëmton qytetarët.

Po ashtu, Imer Jahiri përfaqësues i një biznesi në Lipjan ka thënë se gjithmonë e respekton ligjin e punës për punëtor, ndërkaq nëse pushohet gjatë ditëve të diela brenda vitit do të pushojnë një muaj e gjysmë. Sipas tij, kjo rregullore i dëmton mjaftë shumë bizneset pasi që ato kanë obligime të mëdha.

“Duhet t’i lejojmë bizneset që të punojnë të lira, ndërkaq ato që dëshirojnë të pushojnë të dielën mos t’i ndaloj askush. Ndërkaq për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve duhet të funksionalizohet inspektorati i punës por jo të pushojmë të dielën sepse neve si biznese na dëmton shumë”, ka thënë Jahiri.

Në anën tjetër në këtë diskutim publik, me rregulloren e re të komunës është pajtuar Fadil Sopa përfaqësues i një biznesi, njëherësh këshilltar në KK të Lipjanit nga radhët e LDK-së. Sipas tij, gjatë të dielës shpeshherë punëtorët nuk kanë autobusë për të udhëtuar, ndërkohë secila familje ka nevojë të pushoi të dielën së bashku.

“Shumë punëtor po ikin prej vendit për shkak se këtu nuk po respektohen të drejtat e tyre pasi që bizneset shpeshherë i obligojnë të punojnë edhe gjatë festave, gjatë vikendeve, me orar të zgjatur etj. Shpeshherë punëtorët gjatë të dielave mbesin me nga 2 orë nëpër rrugë për shkak të mungesë së autobusëve ndërkohë detyrohen të paguajnë taksi nga 5 euro kurse mëditja e tij ka kushtuar gjithsejtë 7 euro. Unë mendoj se kjo rregullore duhet të aprovohet”, ka thënë Sopa.

Në anën tjetër Bekim Shabani, drejtor për Zhvillim Ekonomik në komunën e Lipjanit ka thënë se kjo rregullore ka një rëndësi të veçantë sepse përcakton orarin e punës së veprimtarive afariste dhe veprimtarive të tjera biznesore nëpërmjet të cilës mbrohen edhe të drejtat e punëtorëve. “Vetë prezenca e bizneseve e tregon se kjo rregullore ka një rëndësi të veçantë. Ne iu kemi thirrur në këtë takim që të diskutojmë për orarin e punës për subjektet afariste. Prezenca e bizneseve, vërejtjet dhe sugjerimet na bën më të lehtë për ta përgatitim edhe më tej këtë rregullore. Shumica prej bizneseve ka pasur kohë që ta lexoi këtë draft i cili mund të plotësohet edhe më shumë ndërkohë në fund do të marrë vendimin përfundimtar Kuvendi Komunal”, ka thënë Shabani.

COMMENTS

Error, group does not exist! Check your syntax! (ID: 11)