Ushqimet që u servohen të burgosurve në vend nuk dallojnë shumë nga ato që shërbehen në restaurante. Dy herë në ditë mish, sallata, pemë, perime, lëngje frutash dhe çaja të ndryshëm, është menyja ditore më të cilën ushqehen të burgosurit. Sipas menysë së re të miratuar nga Shërbimi Korrektues, për tri vaktet e një të burgosuri shpenzohen mesatarisht 2 euro e 75 cent çdo ditë.
Burgjet e Kosovës kanë filluar t’iu ngjajnë hoteleve. Një përshtypje e tillë të jepet sapo të shohësh menynë ushqimore me të cilën ushqehen të burgosurit dhe të paraburgosurit në vend.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nxjerrë të martën menynë e re të ushqimit për të gjitha institucionet korrektuese. Sipas kësaj menyje, ushqimi kryesor i menysë do të jetë file peshku, pasul, patate, oriz e sallata të ndryshme.
Në SHKK deklarojnë se ushqimi i plotëson të gjitha nevojat, si për nga sasia edhe për nga cilësia, derisa thonë se është përshtatur edhe me gjendjen shëndetësore të të burgosurve.
“Po ashtu është e përshtatur me gjininë dhe moshën e çdo personi të dënuar, gjendjen shëndetësore, stinën dhe kushtet klimatike, si dhe aq sa është e mundur, kërkesave të tyre fetare dhe kulturore”, kanë deklaruar nga SHKK’ja.
Për secilin racion të një të burgosuri, shteti paguan rreth një euro. Ndërsa për të gjitha nevojat, vetëm për një ditë një i burgosur i kushton shtetit 28 euro, përkatësisht 850 euro për muaj, shkruan Express.
Aktualisht në Qendrën Korrektuese në Dubravë, në vuajtje të dënimit rreth 1 mijw e 500 persona.
Për gjithë këta të burgosur nga buxheti i shtetit shpenzohen çdo vit me miliona euro.
Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.
E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro.
Për numrin e madh të shpenzimeve për të burgosur kishin reaguar edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Në këtë institucion kishin kërkuar që numri i të paraburgosurve të ulet dhe gjykatat të mos caktojnë këtë masë për çfarëdo rasti. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të kursehej edhe buxheti i shtetit.
“Ne si KMDLNJ kemi kërkuar që paraburgimi të jetë si masë e skajshme, pikërisht që të kursehet buxheti i Kosovës, sepse në qoftë se një i paraburgosur nuk ka rrezik të ikë, atëherë nuk e dimë pse do të duhej të mbahej në burg”, kishte thënë Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.
Në Kosovë, sipas tij, numri i të burgosurve të punësuar është shumë i vogël dhe për këtë arsye është edhe shumë më e kushtueshme të mbahet një person i privuar nga liria sesa në vendet tjera.
Caktimi i paraburgimit si masa më e skajshme e sigurisë për një të dyshuar ose për një të akuzuar i ka kushtuar edhe buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Vetëm gjatë vitit 2018, KGJK-ja ka ndarë nga buxheti i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave, të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe pas vendimit të gjykatës janë shpallur të pafajshëm.(A.Sh)/Gazeta Express
COMMENTS