Pas zhvillimeve të fundit, ku u arrestua i ashtuquajturi shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, për hyrje të paligjshme në Kosovë, kanë reaguar të gjitha partitë politike dhe krerët e shtetit.
Mirëpo, çuditërisht deri me tash shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka thënë asnjë fjalë. Nuk ka asnjë komunikatë për media, as postim në Facebook e as konferencë për media.
Çfarë po ndodh, shtrohet pyetja? shkruan lajmi.net.
I çuditshëm ka qenë edhe reagimi i deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj, i afërt me kryeministrin Haradinaj.
Nitaj ka shprehur dyshimet e tij për zhvillimet e sotme në Mitrovicën e Veriut, ku Policia e Kosovës arrestoi Marko Gjuriqin, shef i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Nitaj ka thënë se “nuk po mund t’i bjerë në fije” kësaj situate, duke e përmendur edhe një deklaratë të Behgjet Pacollit, disa orë para arrestimit të Gjuriqit, që kishte paralajmëruar arrestimin e tij.
“Po mundohem ta kuptoj atë që ndodhi sot në Mitrovicë, e s’po muj i bi në fije. Mu duk sinjifikative një deklaratë e Pacollit, e thënë disa orë para arrestimit të Gjutiqit se ai nuk ka leje dhe nëse hyn në Kosovë, do të arrestohet! Ishalla është siç po kujtojnë shumica, por seç e kam një dyshim për gjithë këtë ngjarje!”, ka shkruar Nitaj. /Lajmi.net/
COMMENTS