Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se fushata për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës nuk mund të jetë kompensim për heqjen e taksës të cilën qeveria e Kosovës e ka vendosur për mallrat nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina.
“Presioni që të hiqet taksa duhet të jetë shumë më i madh ndaj Prishtinës dhe këtu ndihma nga SHBA-ja do të ishte më e dobishmja”, ka thënë Daçiqi para gazetarëve në Kuvendin e Serbisë, duke i komentuar deklaratat e përfaqësuesit të presidentit të SHBA-së, Richard Grenell, në Prishtinë, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Ministri serb tha se fushata për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës është projekt shtetëror ku nuk është i përfshirë asnjë kompani e as person privat, transmeton Koha.net.
Grenelli sot kërkoi në Prishtinë heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe e të Bosnjës sikurse edhe ndalimin e fushatës së Serbisë për tërheqje të njohjeve të Kosovës.
Ndërkaq Daçiqi vlerësoi se Serbia vetëm mund t’i gëzohet interesimit të shtuar të përfaqësuesve amerikanë që të zhbllokohet dialogu Kosovë-Serbi.
Para fillimit të mbledhjes së Komitetit, ku ai prezantoi raportin tremujor për punën e ministrisë, Daçiqi tha se qëndrimi i Beogradit është se dialogu mund dhe duhet të vazhdojë – i pandryshuar, por se para tij “duhet të hiqet taksa anti-civilizuese” e cila, siç tha ai, qëndron për më shumë se një vit.
“Serbia duhet të jetë konstruktive dhe të gjithë ta shohin se ajo nuk është burim i problemeve, por janë veprimet e Prishtinës ato që përsëriten nga viti në vit”, tha ai.
Daçiqi shtoi se as SHBA-ja nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj pavarësisë së Kosovës dhe se nuk pret që bisedat me Grenellin të jenë të lehta.
I pyetur se çfarë do të bëjë nëse Grenelli kërkon që të ndërpritet fushata për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, shefi i diplomacisë serbe tha se shpreson që kjo nënkupton se edhe ata do të ndërpresin fushatën për njohje të Kosovës, “sepse në çdo seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesit e SHBA-së bëjnë thirrje që shtetet të njohin Kosovën”.
“Për ne, kurrfarë kompensimi për heqje të taksës nuk mund të vlejë për ndërprerje të tërheqjeve të njohjeve”, tha Daçiqi.
COMMENTS