Roma ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në shtëpi ndaj Cagliarit.
Skuadra nga kryeqyteti italian vuajti gjatë gjithë ndeshjes por goli erdhi në minutën e fundit nga mbrojtësi Federico Fazio.
Kapiteni i Romës, Daniele De Rossi ka thënë se ishte një fitore tejet e rëndësishme ndaj Cagliarit.
“Ishte fitore e merituar dhe shumë e rëndësishme. Cagliari bëri një lojë të mirë dhe u mbrojt shumë”, tha fillimisht De Rossi.
“Fitorja erdhi në momentin e duhur, është një kampionat i barabartë pasi nëse fitojmë ndaj Sampdorias jemi vetëm një pikë larg Napolit. Ka kohë që nuk ka qenë më e ngushtë gara për titull”, tha De Rossi.
Roma në javën e ardhshme do të përballet me Juventusin në derbin italian, ku romakët në vitet e fundit e kanë sfiduar ‘Zonjën e Vjetër’ për titull.
“Juventusi ka fituar shumë. Janë në gjendje të marrin tri pikë me një goditje edhe nëse nuk luajnë mirë. Do të jetë një ndeshje e madhe por ne jemi gati për të fituar”, tha De Rossi.
Ditë më parë ikona e Romës dhe Italisë, Francesco Totti tha se do të nënshkruante që Juve ta fitojë Ligën e Kampionëve ndërsa Roma kampionatin.
“Buffon është në vitin e tij të fundit dhe do ta nënshkruaja që Juve ta fitonte ‘Championsin’, ndërsa ne kampionatin”.
“Megjithatë edhe ne jemi në Ligën e Kampionëve dhe synojmë të shkojmë sa më larg që do të jetë e mundur”, përfundoi De Rossi. /Telegrafi/
COMMENTS