Partia Demokratike ka publikuar për herë të parë dosjen penale të Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili rezulton i dënuar për trafik ndërkombëtar të drogës në Shqipëri dhe Itali.
Agroni me emrin e ndryshuar Goni, është dënuar në shtator të vitit 2017 me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Lartë të Italisë, me 7 vjet e dy muaj burg. Kjo gjykatë, me këtë vendim, ka rrëzuar ankimimin e Agron Xhafajt, duke lënë në fuqi dënimin e shkallës së parë dhe të apelit në Itali.
Në një konferencë të posaçme për publikimin e kësaj dosje të ardhur nga autoritetet italiane në Partinë Demokratike, deputetët e djathtë, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi, thanë se Agron Xhafaj është dënuar si drejtues i një organizate kriminale të trafikut të drogës, midis Shqipërisë, Italisë, Polonisë dhe SHBA.
“Agron Xhafaj, allias Goni, është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në Itali dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim. Ka jetuar lirë nga 2013-a e në vijim në Shqipëri, ku vëllai ishte i pushtetshëm, si kryetar i komisioni ligjeve, i reformës në drejtësi, dhe tani si ministër”, tha Bardhi.
PD tha se në dosjen italiane rezulton që vëllai i Fatmir Xhafajt është furnizuesi i organizatës kriminale me heroinë kokainë dhe hashas
Ministri i Brendshëm Xhafaj, ka mohuar që ndaj vëllait të tij të rëndojë ndonjë dënim, madje ka thënë se ai është i pafajshëm. Sipas PD-së, Xhafaj është në dijeni për dënimin e vëllait të tij.
“Fatmir Xhafaj – cituan deputetët e PD-së – tha që dënimi është çështje e sajuar nga opozita, s’ka fakte dhe prova”
“Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ka jo vetëm përgjegjësi politike dhe morale në këtë çështje, por mbi të gjitha ka përgjegjësi ligjore. Është detyrë e Ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7.2 vjet burgim”, tha Enkeleid Alibeaj.
Në konferencë, deputetët e Partisë Demokratike ngritën disa pyetje ndaj ministrit Fatmir Xhafaj
A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?
Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?
A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?
A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?
A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?
Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar nëse është apo jo i dënuar?
Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?
/Gazeta Express
COMMENTS